Kryebashkiaku i Venecias përgatit taksën për vizitorët, kërkon rritjen në 50 euro të tarifës ditore për të vënë nën kontroll fluksin e turistëve
Franca po përballet me një valë të re dhe intensive të të nxehtit, ndërsa autoritetet meteorologjike kanë zgjeruar alarmin portokalli në 53 departamente administrative në të gjithë vendin.
Sipas parashikimeve, temperaturat do të vazhdojnë të rriten në ditët në vijim, duke prekur një pjesë të madhe të territorit francez.
Vala e të nxehtit, e dyta e regjistruar këtë vit në Francë, po shtrihet nga jugperëndimi drejt verilindjes. Temperaturat kanë arritur tashmë 34 deri në 36 gradë Celsius në shumë rajone, ndërsa në Rivierën Franceze dhe në Korsikë pritet të shkojnë deri në 38 gradë Celsius. Në rajonin e Parisit, termometri mund të arrijë 36-37 gradë, duke iu afruar rekordeve historike të muajit qershor.
Hot weather to smother parts of UK in new heatwave that may top 34C pic.twitter.com/qxxoIdetFc
— PA Media (@PA) June 19, 2026
Meteorologët paralajmërojnë se, pas një rënieje të lehtë të temperaturave në disa zona veriore gjatë fundjavës, nga e diela pritet një valë e re nxehtësie që do të përfshijë pothuajse të gjithë vendin. Në disa rajone të Francës perëndimore dhe qendrore temperaturat mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.
Temperaturat e larta kanë filluar të ndikojnë edhe në infrastrukturë. Kompania hekurudhore franceze ka anuluar disa shërbime, ndërsa kompania shtetërore e energjisë ka paralajmëruar se disa centrale bërthamore mund të detyrohen të ulin prodhimin për shkak të temperaturave të larta të ujit në lumenj. Gjithashtu, disa bashki kanë vendosur të anulojnë aktivitetet publike dhe koncertet në natyrë për arsye sigurie.
Situata paraqitet e vështirë edhe në vende të tjera europiane. Në Britaninë e Madhe temperaturat mund të arrijnë deri në 34 gradë Celsius, me mundësinë e thyerjes së rekordit historik të muajit qershor. Spanja ka lëshuar paralajmërime për nxehtësi ekstreme në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në Zvicër dhe Gjermani autoritetet kanë aktivizuar nivele të larta alarmi për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut nga stuhitë.
Edhe në Europën Qendrore, përfshirë Austrinë, Hungarinë dhe Sllovakinë, pritet një javë me temperatura shumë të larta. Ekspertët e klimës e lidhin këtë episod me ndikimin e ndryshimeve klimatike, duke theksuar se valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive.
Sipas studimeve të fundit shkencore, më shumë se 60 mijë persona humbin jetën çdo vit në Europë si pasojë e temperaturave ekstreme, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se fenomeni pritet të përkeqësohet në vitet e ardhshme.
Top Channel