Bad Bunny thyen rekorde, bëhet artisti i parë latino-amerikan që kalon 1 miliard dollarë të ardhura nga turnetë
Kryetari i ri i bashkisë së Venecias ka thënë se shpreson të rrisë tarifën e hyrjes për vizitorët ditorë në qytetin lagunor në 50 euro.
Simone Venturini, ish-nënkryetari i krahut të djathtë për turizmin, i cili u zgjodh kryetar bashkie në fund të majit, tha se propozimi synon të ‘dekurajojë’ më tej ardhjet “gjatë periudhave të presionit të shtuar turistik”.
Në vitin 2024, Venecia u bë qyteti i parë turistik në botë që vendosi një tarifë hyrjeje, duke vendosur 5 euro tarifë për 29 ditë piku midis prillit dhe korrikut.
Masa u rifut në vitin 2025, duke u zgjeruar në 54 data, me vizitorët e minutës së fundit që paguajnë dyfishin e çmimit. Këtë vit, nisma përfshin 60 data.
Megjithëse sistemi pati pak ndikim në numrin e vizitorëve, ai solli 2.4 milionë euro të ardhura në vitin e parë, shumë më tepër se sa pritej. Autoritetet e Venecias ende besojnë se masa do të ndihmojë në trajtimin afatgjatë të turizmit në qytetin e UNESCO-s.
Venturini ishte zotuar gjatë fushatës së tij zgjedhore të rriste tarifën nga 30 deri në 50 euro, në varësi të datave.
Siç tha ai, këshilli i qytetit po shqyrton një propozim që synon t’i paraqesë qeverisë kombëtare, duke kërkuar leje për të rritur tarifën e hyrjes “në ditë specifike dhe kur tejkalohen kufijtë e caktuar të rezervimit”.
Tarifa paguhet në mënyrë elektronike dhe vizitorët marrin një kod QR, të cilin duhet t’ua tregojnë oficerëve që patrullojnë pikat kryesore të hyrjes së qytetit, si stacioni i trenit Venezia Santa Lucia.
Ata që kanë rezervuar qëndrimet e natës në Venecia janë të përjashtuar nga pagesa e tarifës, siç janë turistët nga rajoni më i gjerë i Venetos nga vijnë shumica e vizitorëve ditorë dhe fëmijët nën 14 vjeç. Megjithatë, edhe mysafirët që kanë rezervuar një dhomë hoteli duhet të deklarojnë praninë e tyre përmes faqes përkatëse të internetit.
“Tarifa e hyrjes është aktualisht mjeti i vetëm efektiv për kontrollin e numrit ditor të vizitorëve. Prandaj ne po punojmë për një propozim që do ta bëjë atë më efektiv në ditët e pikut, me synimin për të gjetur një ekuilibër të ri midis nevojave të banorëve, punëtorëve dhe vizitorëve”, tha Venturini.
Ai shtoi se të ardhurat nga tarifa do të përdoren “për të financuar shërbimet komunale dhe për të mbështetur mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e një qyteti unik, të ndërtuar mbi ujë, kostoja vjetore e të cilit i kalon 100 milionë euro”.
Top Channel