Fiks Fare/ Komshiu i droguar kthehet në ‘makth’ për komunitetin në Vlorë. Kërcënon me thikë banorët, i vë zjarrin shtëpisë dhe rrezikon lagjen

25/11/2024 20:48

Banorët e lagjes “28 Nëntori” në Vlorë kanë 2 vite që nuk gjejnë paqe në banesat e tyre, shkak është bërë komshiu 34 vjeçar, i cili sipas tyre u kërcënon jetën në mënyrë të vazhdueshme.

Kërcënimet me thikë dhe zjarrvënie të banesës janë disa nga rastet më të fundit të Marjus Murataj ndaj komshinjve të tij.

34 vjeçari ka jetuar në Greqi dhe prej tre vitesh është kthyer ku është kthyer në tmerrin e komunitetit ku jeton. Sjelljet e tij sipas banorëve që u ankuan në Fiks Fare janë anormale. Një vit më parë banorët pohojnë për Fiksin se ai i vuri zjarrin banesës së vetë dhe nga ky zjarr u dogjën edhe banesa të tjera. Dëmet ishin të mëdha.

“Ajo që na shqetëson është se i vuri zjarrin shtëpisë dhe pastaj u ul poshtë dhe e shihte tek digjej shtëpia e tij dhe banesat e tjera” tregojnë banorët.

Nga pamjet e siguruara nga Fiks Fare shihen momentet kur 34 vjeçari i vë zjarrin shtëpisë si dhe nga brendësia e banesës së tij shihet e mbuluar me plehra.

Jetesa në komunitet me Marjusin sipas banorëve është e vështirë. Ata tregojnë se atij i pëlqen të theri kafshë në ballkon dhe mbetjet i hedh si pa të keq kudo. Madje thikën nga dora nuk e ndan sipas tyre aq sa kërcënoi dhe komshien një kat poshtë tij. Sipas banorëve komshiu ishte ankuar se i pikonte banja dhe kjo pasi 34 vjeçari sipër tij e linte shpesh herë çezmën hapur . Në një ballafaqim që kanë patur të dy, Marjusi e ka kërcënuar me thikë në qafë komshiun. Rast i cilin është kapur në flagrancë nga Policia e Vlorës.

Fiks Fare u interesua pranë Drejtorisë së Policisë së Vlorës, e cila në përgjigjen e saj sqaron se të gjitha denoncimet e banorëve të lagjes “28 Nëntori” i kanë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.

Ndërsa në datën 1 nëntor 2024, nisur nga shqetësimi i vazhdueshëm i banorëve të pallatit ku Marjusi banon, policia e ka shoqëruar për trajtim në Spitalin Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë.Policia sqaron se nga ana e shërbimeve të komisariatit, rasti i tij u është bërë me dije edhe instancave përkatëse për trajtimin e mëtejshëm .

Fiksi u interesua edhe në spitalin psikiatrik ku nëndrejtori teknik, psikiatri Stiliano Lepuri pohoi se 34 vjeçari nuk vuan nga sëmundje të shëndetit mendor, por që i duhet mjekim i detyrueshëm tek toksikologu pasi është përdorues i alkoolit dhe lëndëve narkotike.

Fiks Fare u interesua edhe pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë të Vlorës. Në përgjigjen që i dha Fiks Fare tregon se policia e ka referuar 4 herë këtë shtetas në prokurori për vepra të ndryshme penale, ndërsa prokuroria asnjëherë nuk i ka çuar në gjykatë për gjykim.

Në 2 rastet e para, veprimet e këtij shtetasi, sipas prokurorisë, nuk janë konstatuar elemente të veprës penale dhe materialet janë regjistruar në regjistrin e çështjeve të tjera. Sipas memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar në vitin 2020 mes Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Prokurorise së Përgjithshme, duke i arkivuar në një rast tjetër. Në 7 nëntor 2023, prokuroria e ka marrë nën hetim këtë person për veprën penale të shkatërrimit të pronës me zjarr, për këtë akuzë ky shtetas është ende nën hetim.

Për rastin tjetër të referuar nga policia në 27 korrik 2023 për veprën penale të kanosjes ky shtetas ka përfituar nga amnistia. Vetëm për një rast prokuroria e ka çuar çështjen në gjykatë, për një akuzë vjedhjeje, ku i dëmtuar është vetë personi Marjus Murataj. Pra në asnjë rast ky person nuk ka dalë para gjykatës ai i akuzuar.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA