Presidenti i zgjedhur i SHBA ka konfirmuar sot se me anë të “emergjencës kombëtare” do të dislokojë ushtrinë për deportime masive të emigrantëve të paligjshëm që kanë ardhur në vend gjatë administratës Biden.
Në një postim të mëngjesit në rrjetet sociale Trump i përgjigjej “TRUE!!!” (E vërtetë) një komenti të një figure anti-emigracion, Tom Fitton, i cili më herët shkruante se “administrata e re do të përdorë ushtrinë për të kthyer prapa pushtimin e emigrantëve që Biden shkaktoi në SHBA, me anë të një programi depërtimesh masive”.
Pas fitores së zgjedhjeve Trump ka thënë se kërkon të mbajë premtimet e tij duke ekzekutuar deportimet masive “që prej ditës së parë të presidencës”.
Por ka ende shumë aspekte të paqarta për realizimin e asaj që ai ka quajtur “programi më i madh i deportimeve në historinë e SHBA”.
Trump ka sugjeruar shpesh se do të përdorë forcën e ushtrisë për të realizuar objektivat e fushatës së tij për të sprapsur politikat destruktive të demokratëve, shumë prej të cilëve kanë refuzuar të bashkëpunojnë me axhendën e tij të deportimeve, shkruan rrjeti The Guardian.
Me anë të emërimeve të kabinetit të tij presidenti duket se ka seriozisht me politikat e ndalimit të emigracionit të pakontrolluar, aq sa është quajtur “cari i kufijve” nga Tom Homan, i zgjedhuri për të drejtuar fushatën e kontrollit të emigracionit.
Në postimin ku njoftohej emërimi Trump shkruante se Homan do të “drejtojë deportimin e të huajve ilegalë në vendet e tyre të origjinës”.
Rikthehet gjithashtu për një mandat të dytë në detyrë dhe Stephen Miller, një tjetër zyrtar i emigracionit që tashmë duket se i shtohen fuqitë, me postin e këshilltarit të sigurisë së brendshme.
Trump ka nominuar gjithashtu të besuarën e tij, guvernatoren e South Dakota, Kristi Noem, si sekretare e sigurisë së brendshme.
Por ekspertët thonë se politikat e deportimeve masive mund të ngrejnë sfida logjistike e ligjore, me kosto të shtuara infrastrukture për deportimet.
Trump e Miller kanë përshkruar plane për federalizimin e Gardës Kombëtare dhe angazhimin e tyre me deportimet ndërsa Miller ka sugjeruar ndërtimin e kampeve të mëdha të ndalimit, me tenda, shkruan The Guardian.
Në një intervistë me NBC News, Trump tha se nuk kishte opsion tjetër përveç planit të largimeve masive, cilado qofshin kostot.
“Nuk është çështje kostosh, është se nuk kemi zgjidhje tjetër. Një pjesë e këtyre njerëzve kanë vjedhur e kanë vrarë, ndërsa krerët e trafikut të drogave shkatërrojnë kombet, tani ata do të shkojnë në vendet e tyre, nuk ka rëndësi kosto”.
Disa herë Trump ka përmendur në fushatë se do të deportojë të paktën 15 milionë të jashtëligjshëm, ndoshta 20 milionë.
Por megjithë retorikën nuk është e qartë sesi administrata Trump do të zgjedhë të deportuarit. Ai ka thënë shpesh se kufiri hapur në jug të vendit ka shtuar krimin, edhe pse kjo nuk mbështetet nga statistikat.
Pyetje mbeten gjithashtu mbi aksionet e ndalimit dhe vendin ku do të mbahen këta persona, pasi avokatët e të djertave thonë se largimet mund të përshijnë dhe njerëz me status ligjor qëndrimi në SHBA.
“Kjo duket më shumë si një strategji e mbjelljes së frikës e panikut, sepse njerëz bullizues si Trump kënaqen me këtë”, tha Greisa Martínez Rosas, drejtuese e grupit të të drejtave të refugjatëve të rinj, e cila shtonte: “Trump mund të jetë rizgjedhur president, por ai nuk ka mandat për të shkatërruar komunitetet tona”. //The Guardian//
Top Channel