Si u grabit makina e atentatit! Top Channel siguron pamjet e grabitjes së Range Rover-it që u përdor në masakrën e Dobraçit

05/11/2024 20:16

Disa ditë pas ngjarjes së rëndë kriminale në Shkodër, ku humbën jetën katër persona, Top Channel ka siguruar pamjet e grabitjes së makinës që u përdor nga autorët e këtij atentati.

Pamjet e siguruara tregojnë momentin kur Range Rover-i, u grabit 7 muaj më parë në Durrës. Automjeti u vodh, në lagjen nr.12 të qytetit bregdetar, në orët e para të mëngjesit të 17 prillit, teksa ndodhej i parkuar në rrugë, pranë banesës së pronarit, një punonjës i forcës së sigurisë në Portin e Durrësit. Sapo konstatoi vjedhjen, ai bëri menjëherë denoncim në polici, por pa rezultat.

Në të njëjtën lagje, po atë ditë u vodh edhe një tjetër makinë e markës Range Rover.

Pas vrasjes së 4-fishtë të Shkodrës, ky Range Rover i vjedhur në Durrës u dogj me acid dhe u shkrumbua për të zhdukur çdo gjurmë të autorëve që u treguan të kujdesshëm për të mos lënë pas prova që mund të çojnë në identifikimin e tyre.

Atentati i 30 tetorit në Shkodër pati në shënjestër shtetasit Hamza Lici dhe Arlind Bushati, por pas të shtënave, automjeti i tyre humbi kontrollin dhe përplasi motorin, ku po udhëtonte çifti i bashkëshortëve Flutura dhe Bashkim Basha, të cilët u bënë viktima të pafajshme të kësaj ngjarjeje tragjike që ka tronditur thellë opinionin publik, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët e këtij krimi të rëndë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA