SHBA përballë një paradoksi, njeriu që drejton kartelin më të rrezikshëm të drogës është… amerikan

11/07/2026 22:28

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së po përballet me një sfidë të pazakontë në luftën kundër trafikut të drogës.

Personi që Uashingtoni konsideron si drejtuesin e ri të Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG), një prej organizatave kriminale më të fuqishme dhe më të dhunshme në botë, është shtetas amerikan.

Bëhet fjalë për 41-vjeçarin Juan Carlos Valencia, i njohur me nofkën “El 03”, i lindur më 12 shtator 1984 në Santa Ana të Kalifornisë. Autoritetet amerikane e konsiderojnë atë pasardhësin e Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, i cili u vra gjatë një operacioni në Meksikë më 22 shkurt.

Pas vdekjes së “El Mencho”, SHBA e ka identifikuar zyrtarisht Valencian si drejtuesin e ri të CJNG-së dhe ka shpallur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacione që çojnë në arrestimin e tij.

Valencia vjen nga një familje me lidhje të forta me botën e krimit. Ai është djali i Armando Valencia Cornelio, themeluesit të Kartelit Milenio, ndërsa nëna e tij, Rosalinda González Valencia, konsiderohet një figurë kyçe në strukturën e CJNG-së. Më vonë ai u rrit nën ndikimin e “El Mencho”, i cili u bë partneri i nënës së tij.

Megjithatë, fakti që Valencia ka shtetësi të dyfishtë, amerikane dhe meksikane, ka krijuar një problem ligjor për autoritetet amerikane. Sipas ligjit të SHBA-së, operacionet ushtarake që mund të rrezikojnë jetën e një qytetari amerikan janë të kufizuara, duke e bërë më të ndërlikuar ndjekjen e tij.

Sipas raportimeve, një nga zgjidhjet e mundshme është që shërbimet amerikane të inteligjencës të mbledhin informacione dhe t’ua kalojnë autoriteteve meksikane, të cilat më pas do të kryenin operacionin për arrestimin e tij.

Ekspertët theksojnë se ende nuk është e qartë nëse “El 03” ka marrë kontrollin e plotë të kartelit, pasi brenda CJNG-së raportohet për rivalitete dhe ndarje të pushtetit.

Megjithatë, fakti që SHBA e ka shpallur atë objektivin kryesor tregon se Uashingtoni e konsideron tashmë kundërshtarin më të rrezikshëm në luftën kundër një prej kartelëve më të fuqishëm të drogës në botë.

Top Channel