Vrasja e ish-deputetes britanike Anne Windecombe, arrestohet një 28-vjeçar në South Yorkshire
Dy persona humbën jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur pasi të paktën dy persona të armatosur shkëmbyen zjarr mes turmës në festivalin “Salsa on St. Clair”, festivali më i madh i kulturës latine në Kanada, që po zhvillohej në Toronto.
Sipas Policisë së Torontos, gjashtë persona u qëlluan me armë zjarri, ndërsa disa të dyshuar janë ende në arrati. Autoritetet kanë rrethuar tre skena krimi dhe kanë sekuestruar dy armë zjarri, duke theksuar se aktualisht nuk ka më rrezik për publikun.
Zëvendësshefi i Policisë së Torontos, Frank Barredo, deklaroi se nga hetimet paraprake rezulton se bëhej fjalë për një shkëmbim zjarri mes dy personave që kishin në shënjestër njëri-tjetrin.
“Ky dukej të ishte një shkëmbim zjarri midis dy individëve që synonin njëri-tjetrin”, tha ai.
Pamjet e transmetuara nga mediat lokale tregojnë pjesëmarrësit duke vrapuar të alarmuar për t’u larguar nga zona, ndërsa dhjetëra automjete policie, mjete të blinduara dhe ambulanca mbërritën menjëherë në vendngjarje.

Policia bëri të ditur se zona u sigurua rreth një orë pas të shtënave, por u kërkoi qytetarëve të qëndronin larg vendit të ngjarjes ndërsa hetimet vijojnë. Festivali “Salsa on St. Clair”, që zhvillohet prej 22 vitesh, është një nga aktivitetet më të mëdha kulturore në Toronto dhe tërheq mijëra vizitorë çdo vit.
Kryetarja e Bashkisë së Torontos, Olivia Chow, e dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar atë një akt të pamatur dhe të neveritshëm.

“Ky ishte një akt dhune i pamatur dhe i neveritshëm në një festival të mbushur me njerëz. Do të sigurohem që Policia e Torontos të ketë të gjitha burimet e nevojshme për të gjetur përgjegjësit dhe për të vazhduar luftën kundër armëve në rrugët tona”, deklaroi ajo.
Edhe kryeministri kanadez, Mark Carney, reagoi pas ngjarjes, duke u shprehur se ishte “i tmerruar” nga sulmi.
“Lutjet e mia janë me familjet që humbën të dashurit e tyre dhe me të gjithë ata që janë prekur nga kjo ngjarje e tmerrshme”, tha Carney.
Ngjarja rikthen në vëmendje shqetësimet për dhunën me armë në Kanada. Edhe pse vendi ka ligje shumë më të rrepta për armë se Shtetet e Bashkuara dhe të shtënat masive janë relativisht të rralla, incidente të tilla vazhdojnë të tronditin opinionin publik. Pas sulmit më vdekjeprurës në historinë moderne të vendit, në Nova Scotia në vitin 2020, qeveria kanadeze miratoi reforma të gjera dhe ndaloi përdorimin e armëve.
Top Channel