Kuvendi i Kosovës ka debatuar për raportin e progresit që Kosova e ka pranuar të mërkurën.
Deputetët e pushtetit i interpretuan gjetjet e këtij raporti sikur arritje të vendit, duke thënë që Kosova ka shënuar përparim në shumë fusha.
Fjolla Ujkani, deputet, LVV: Gjatë tre viteve të fundit, raportet e Komisionit Evropian kanë theksuar arritjet e rëndësishme legjislative të Kosovës në kriteret politike dhe progresin e saj në përmbushjen e standardeve ekonomike dhe të Bashkimit Evropian
Megjithatë, opozita e pa këtë si mashtrim të qytetarëve. Deputetët opozitarë cilësuan se vendi nuk ka qenë në këtë situatë asnjëherë më parë, kur bëhet fjalë për politikën e jashtme dhe sektorë të tjerë.
Haki Abazi, deputet i pavarur: Mjaft më me gënjeshtra, popullin duhet me dalë me e pa në sy për situatën dhe realitetin në të cilin jemi, jemi me masa, jemi nën sanksione.
Driton Selmanaj, deputet, LDK: Kur e dëgjoja fjalimin e përfaqësuese së grupit më të madh politik të Kuvendit të Kosovës, për raportin e progresit thash mos e kanë ndryshu me inteligjencë artificiale, sepse unë e kam lexuar një dokument tjetër. Të dhënat që janë aty, janë më shumë se shqetësuese.
Një nga to që përmendet më së shumti dhe nuk ka qenë në raportet e kaluara, është centralizim tek pushteti ekzekutiv tek të gjitha temat dhe çështjet, tek reforma në gjyqësor dhe çka është më e dëmshme, cenimi i lirisë së shprehjes.
Sipas raportit të Komisionit Evropian, nga 38 fusha, Kosova ka pasur përparim pozitiv në katër, pak progres në pesë dhe progres të limituar në një fushë.
Top Channel