Në vazhdën e akuzave për inkriminimin e Policisë nga ana e Dumanit, efektivi ynë i intervistuar në anonimat ngre akuza tepër të forta për policët e zonave.
Ai thotë se janë pikërisht këta të fundit që shesin kolegët e tyre dhe u japin të gjithë informacionet e nevojshme kultivuesve të drogës për grupin e policëve që u asgjësojnë bimët narkotike.
“Një SPZ ka informacion për çdo gjë që ndodh në zonën që mbulon, qoftë ndërtim pa leje, qoftë person në kërkim, qoftë dhe parcela me kanabis. Një SPZ mbron personin në kërkim duke i thënë ik se sot do vijmë kontroll banese, mos dil se ka kontrolle deri dhe mbille këtu se nëse të vjen avioni, me koordinatat e Guarda di Finanza, t’i shkulim 10 bimë e t’i bëjmë foto dhe pjesën tjetër mbaje. Një polic me 6 muaj punë nuk e njeh zonën, nuk e njeh territorin dhe nuk ka gjë në dorë, por shiten dhe çohen viktima duke u bërë mbulesë, mashë, për tradhtarët e vërtetë”, u shpreh polici
“Kemi frikë nga kolegët. Frikë nga frikacakët që për të kërcënuar punonjësit e policisë terrorizojnë familjet tona. Çfarë faji kanë familjet tona? Kemi frikë nga ato fytyra, kolegë, që të nesërmen e atentatit vijnë e të qurraviten duke na ngushëlluar, ndërsa një ditë më pare na kanë shitur te kriminelët duke i dhënë informacione se ku banojmë, ku pimë kafe madje dhe itinerarin se ku lëvizim”, u shpreh polici.
Top Channel