Edhe pse Gjykata Kushtetuese vendosi pezullim të ekstradimit, është firmosur ekstradimi i rusit, Igopr Kokunov dhe është nisur drejt Rusisë, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.
Disa orë më parë, procedurat e ekstradimit të rusit Igor Kokunov, i kërkuar nga Rusia për lidhje mafioze u pezulluan përkohësisht.
Ky vendim mbetet në fuqi, sipas Kushtetueses, deri në një vendimmarrje të dytë nga kjo gjykatë.
Në mbledhjen e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese u theksua se janë kushtet që imponojnë pezullimi e përkohshëm të kësaj procedure, ndërsa Kokunov vijon të qëndrojë në izolim.
Avokati i tij Isuf Shehu tha: Gjykata Kushtetuese mori vendim për ato shkaqe që përmendi, është njoftuar Prokurori i Përgjithshëm, Interpoli, Ministria e Drejtësisë, i kam përcjellë vendimin e Kushtetueses dhe i kam kërkuar të mos marrë vendimin për ekstradimin.
Megjithëse u erdhi vendimi nuk u mor asnjë veprim për ta pezulluar, Ai për momentin është drejt Stambollit mund të ketë mbërritur. E gjithë gjëja është në dorë të Interpol Stambollit, i cili mund të mos lejojë që të kalojë drejt Moskës. Nuk e di sa i mundur të jetë një veprim i tillë, nëse Interpol Tirana i ka kërkuar Interpol Stambollit, pasi iu dorëzua agjentëve shtetërore të Rusisë.
60-vjeçari rus i arrestuar në Shqipëri, e refuzonte prej kohësh ekstradimin drejt Rusisë.
I njohur me nofkën “Vasia Bandit”, pra hajdut me ligj, prokuroria ruse thotë në dosjen që Top Channel disponon se 60-vjeçari nga viti 1993- 2019 mori postin më të lartë në hierarkinë kriminale.
Statusi “hajdut me ligj”, thotë zëvendës prokurori i Përgjithshëm rus, është statusi më i lartë i përjetshëm në hierarkinë kriminale dhe dëshmon përkatësinë e tij dhe autoritetin e padiskutueshëm në elitës kriminale.
Rusët i thonë Shqipërisë se Kokunov nga 2005- 2015 ofroi patronazh kriminal të veprimtarisë së kompanisë së përbashkët aksionere “FIRST Moscow Watch Factory” me një tarifë për të marrë para në gati 1 milionë rubla.
Më pas zgjidhi konflikte me strukturat e tjera kriminale derisa zuri postin më të lartë me këta udhëheqës të botës kriminale, shkruhet më tej në dosjen që Top Channel e disponon ekskluzivisht.
Gjatë seancave gjyqësore Igor Kokunov ka pranuar se ka probleme me drejtësinë në Moskë, por proceset penale janë stimuluar për shkak të marrëdhënies jo të mirë që ka ai me regjimin diktatorial të Presidentit, Vladimir Putin.
Kokunov akuzohet për krime si rrëmbimi, zhvatja, grabitja, mashtrimi dhe organizimi i biznesit të paligjshëm.
Gjithashtu akuzohet për koordinimin e kriminelëve në rajonet Sergiev Posad, Chekhov dhe Podolsk të rajonit të Moskës prej 27 vitesh.
Top Channel