Në muajin qershor 2024, qeveria miratoi rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Sipas tyre, pagat do të jenë shumë herë më të larta dhe do të varen nga grada e secilit punonjës. Ndërkohë, pa kaluar shumë kohë, qindra punonjës në Drejtorinë Vendore të Policisë së Beratit, që përfshin edhe komisariatet e Skraparit, Beratit, Dimalit dhe Kuçovës, janë ankuar në Fiks Fare se nuk kanë marrë trajtimin ushqimor të muajit dhjetor 2023. Gjithashtu, s’kishin marrë as orët shtesë të muajve qershor, korrik, gusht dhe shtator. Madje, as trajtimin ushqimor të muajit shtator 2024, trajtim të cilin qeveria ua dha si kompensim në supermarkete.
Dhjetëra punonjës të policisë në Qarkun e Beratit i janë drejtuar emisionit Fiks Fare për një problematikë për mos pagesën e trajtimit ushqimor të muajit dhjetor 2023. Madje, me shkresën me numër 5670/9, të datës 17.09.2024, të drejtuesit në atë kohë në detyrë të Policisë së Shtetit, drejtues i Lartë z. Sokol Bizhga, urdhëron “sektorët e financave të kryejnë pagesën e detyrimit të muajit dhjetor 2023 në llogarinë e pagës së punonjësve të policisë”.
“Nuk është kryer, sikurse është urdhëruar në datë 17 shtator 2024 me telegramin nga DPPSH, pagesa në vlerë të detyrimit për muajin Dhjetor 2023 në llogarinë e pagës së rreth 300 punonjësve të Policisë së Shtetit, Berat. Dhe kjo kryhet haptazi nga Shefja e Seksionit të Financave Berat, znj. Burbuqe Koro me mashtrimin se kjo vlerë iu është dhënë këtyre punonjësve parapagim po në mes-muajin dhjetor 2023. Kurrsesi s’ka si të ndodhë, sepse pasi kryen punën e një muaji për këtë paguhesh edhe për kompensimin ushqimor nga punëdhënësi jo më vonë se data 5 e muajit pasardhës” thuhet në ankesë.
Fiksi bisedoi edhe me një punonjës policie, i cili tha se nuk kanë marrë orët suplementare të muajve qershor, korrik, gusht dhe shtator 2024, edhe kjo në kundërshtim edhe me telegramet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Madje, s’kanë marrë as trajtimin ushqimor të muajit shtator 2024, ndërkohë që të gjitha drejtoritë vendore të qarqeve të tjera e kanë paguar. Policëve nuk u janë paguar orët suplementare të mbikohës në punë (shërbimit 12 orarësh) të sezonit turistik veror 2024, për periudhën 15 qershot-korrik-gusht-15 shtator 2024. Sikurse dhe orët e natës për muajin shtator 2024! “Këto shqetësime ia kemi thënë edhe drejtuesve, po asnjë s’i ka rregulluar” tha punonjësi. Ai tha se, para se të rritej rroga në qershor 2024, merrte një pagë mbi 80 mijë lekë. “Tani pak më shumë se 60 mijë lekë. Po s’po i llogarisim dot, se njëherë i hedhin, njëherë jo e s’e dimë tamam” përfundon ai.
Fiksi bisedoi në telefon me shefen e financës në Drejtorinë e Policisë së Beratit, Burbuqe Koro. Ajo tha se pagesa e trajtimit ushqimor të muajit dhjetor 2023 është paguar në mes të muajit dhjetor 2023. Ndërkohë, dhjetëra punonjës policie deklaruan se nuk i kanë marrë. Për pagesat e orëve shtesë gjatë sezonit veror, thotë se “s’ka fonde”, ndërkohë që do të vijohet edhe me pagesën e trajtimit ushqimor të muajit shtator 2024. Pohon se ka pasur disa mungesë fondesh dhe prioritet janë pagat dhe më pas orët shtesë dhe trajtimi ushqimor. “Edhe mund të ketë gabime se njerëz jemi. Po të vijnë në Financë dhe do i shohim” thotë ajo. Fiksi e pyet se përse gjithë këto vonesa, ndërsa shton se “s’ka fonde dhe prioritet janë pagat”.
Fiksi i kërkoi Policisë së Beratit informacion për këto ankesa dhe në përgjigje kjo drejtori na shkruan se në Qarkun e Beratit janë “350 punonjës policie”. “Pagesa e trajtimit ushqimor për muajin dhjetor 2023 është kryer në datë 27 dhjetor 2023” thotë Drejtoria e Policisë së Beratit. Por, dokumenti i datës 17 shtator 2024 i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i emërtuar telegram, i ka shkuar Drejtorisë së Beratit. Në të citohet se “ju bëjmë me dije miratimin e fondit për kompensimin ushqimor”. “Sektorët e financës të kryejnë pagesën në vlerë të detyrimit për muajin dhjetor 2023, në llogarinë e pagës së punonjësve të policisë” thuhet në këtë dokument.
Drejtoria e Përgjithshme pranon në shtator 2024 se pagesa e këtij muaji nuk është kryer, ndryshe nga sa deklaroi shefja e financës në Berat se “i kanë marrë”. Por, nëse do të ishte paguar, drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk do të kishte urdhëruar në shtator 2024 këtë drejtori që të bënte pagesën! Në lidhje me orët shtesë edhe ato të papaguara, drejtoria thotë se janë kryer pagesat e orëve suplementare për muajt qershor dhe korrik 2024. Pagesat e periudhës gusht-shtator 2024, do të kryhen kur të vijnë fondet.
Pagesat e orëve suplementare të muajve qershor dhe korrik, por edhe pagesa e trajtimit ushqimor të muajit shtator 2024, u realizuan disa ditë pasi Fiksi u interesua në këtë drejtori.
Top Channel