Austri, presidenti bllokon ekstremin e djathtë: FPO nuk krijon dot qeverinë!

10/10/2024 16:22

FPO shënoi një fitore historike në zgjedhjet parlamentare në Austri. Por duket se partia e ekstremit të djathtë vetëm kaq mund të shijojë nga ai moment, dhe nuk e finalizon dot vetë përpjekjen e saj për krijimit e qeverisë.

Në kundërshtim me traditën, presidenti Alexander Van der Bellen ka refuzuar t’i japë asaj së parës mandatin për të formuar ekzekutivin e ri. Kreu i shtetit austriak ka zgjedhur një qasje ndryshe dhe ka vendosur që këtë herë, mandatin të mos ia dorëzojë partisë me më shumë vota, siç ndodh zakonisht.

Në vend të kësaj, liderët e tre partive kryesore – FPÖ, ÖVP dhe SPÖ – do të duhet të sqarojnë mes tyre se çfarë lloj bashkëpunimi mund të përfytyrohet.

“Gjendemi përballë një rasti të pazakontë. Është një gjë krejtësisht e re për ne që kemi një fitues zgjedhjesh, me të cilin asnjë nga partitë e tjera nuk dëshiron të qeverisë.”-u shpreh Alexander Van der Bellen, president i Austrisë.

ÖVP, qe ishte në pushtet, ka përjashtuar çdo bashkëpunim me FPÖ-në nën drejtimin e Herbert Kickl. Sipas Van der Bellen-it, as SPÖ, NEOS liberale dhe të Gjelbërit nuk duan të qeverisin me FPÖ. Kickle, nga ana e tij, insistonte që FPÖ do të ishte në qeveri vetëm nëse ai bëhej kancelar.

Në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar në fund të shtatorit, partia populiste e djathtë FPÖ doli për herë të parë partia më e fortë. Partia konservatore ÖVP pësoi humbje të mëdha dhe doli vetëm në vendin e dytë, përpara SPÖ-së socialdemokrate. Edhe pse mandatin e presidentit për krijimin e qeverisë, tradicionalisht e ka marrë partia me më shumë vota, një gjë e tillë nuk përcaktohet në Kushtetutën e Austrisë, ck ai jep kreut të shtetit liri veprimi.

Top Channel