Djathi më i vjetër në botë gjendet bashkë me mumjet e lashta në Kinë (fotot)

01/10/2024 15:49

Copa e djathit që daton rreth 3,600 vjet më parë është gjetur në një vend të pazakontë.

Analizat e objekteve të gjetura pranë mumjeve të epokës së bronzit në Kinë zbuluan se objekti ishte në fakt gjizë e lashtë.

Studimi publikuar në revistën shkencore ‘Cell’, sjell sugjerime për origjinën e gjizës dhe evolucionin e bakterieve probiotike që krijojnë ushqimet që konsumojmë, shkruan rrjeti britanik Metro.

“Artikuj ushqimorë si djathi janë të vështirë të ruhen përgjatë shekujve, prandaj kjo është një mundësi e vlefshme studimi”, thuhet në artikull.

“Studimi i bulmetrave të lashtë në detaje na tregon shumë për të kuptuar dietën dhe kulturën e paraardhësve tanë”.

Arkeologët kishin zbuluar substancën e bardhë misterioze në qafën e disa mumjeve të gjetura në varrezën Xiaohe të krahinës kineze Tarim rreth 20 vjet më parë.

Mumjet datonin 3,300 deri në 3,600 vjet më parë, shtonin ata.

Në kohën e zbulimit studiuesit besonin se objektet ishin produkte bulmeti të fermentuara, por nuk e dinin saktësisht se çfarë ishin, shkruan Metro.

Me avancimin e teknikave të analizës ata identifikuan ADN të dhisë në mostrat e djathit.

Prof. Fu tha se popujt e lashtë Xiaohe përdornin qumështin e disa llojeve të kafshëve për bulmetin e tyre, ndryshe nga praktikat në Lindjen e Mesme dhe të Greqisë së lashtë.

Ata panë se mostrat kishin specie bakteriesh dhe kërpudhash si Lactobacillus e Pichia kudriavzevi i, që përdoren dhe sot në fermentimin natyral te qumështit.

Studiuesit thanë se kishin arritur të veçonin bakteriet e gjizës së lashtë, për të kuptuar evoluimin e bakterive ndër shekuj.

Prof. Fu tha: “Ky është një studim i paprecedentë që na lejon të kuptojnë gjendjen e bakterit probiotik në të shkuarën si dhe të dimë per stilin e jetesës së njeriut të lashtë dhe bashkëveprimin e tij me natyrën”.

“Ky është vetëm fillimi teksa shpresojmë të eksplorojmë më shumë për të kuptuar fakte të panjohura”, shtoi ai sipas rrjetit Metro.

FOTO GALERI
1/2
Prof. Fu tha se popujt e lashtë Xiaohe përdornin qumështin e disa llojeve të kafshëve për bulmetin e tyre

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA