Ish-deputeti i PD, Gerti Bogdani, i cili u largua në mënyrë të parakohshme nga jeta një ditë më parë pas një arresti kardiak do të përcillet sot në banesën e fundit.
Kuvendi i Shqipërisë ka hapur dyert për homazhet në nderim të ish-deputetit.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Gert Bogdani u nda nga jeta para kohe në moshën 44-vjeçare pas një arresti kardiak, ndërsa po zhvillonte një takim me disa miq të tij në një prej hoteleve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në një reagim prekës në rrjete sociale, bashkëshortja e tij, aktivistja Edlira Çepani lajmëroi se ceremonia e lamtumirës do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe varrimi do të bëhet më pas në varrezat e Sharrës.
“Homazhet dhe ceremonia e lamtumirës, do bëhen ditën e nesërme dt. 19 Shtator 2024, në Sallën e Seancave Plenare të Parlamentit të Shqipërisë, nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe varrimi do të bëhet më pas në varrezat e Sharrës”, shkroi ajo.
Nga ana tjetër në nderim të figurës së ish-deputetit Gerti Bogdani, Partia Demokratike ka shpallur ditë zie këtë të enjte.
“Të gjitha aktivitetet e Partisë Demokratike në datat 18 dhe 19 shtator në të gjithë territorin do të anulohen”, njofton PD.
Në të gjitha selitë e Partisë Demokratike flamuri kombëtar dhe flamuri i PD do të ulen në gjysmështizë dhe në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjitha selitë e Partisë Demokratike.
Profil/ Kush ishte Gerti Bogdani?
Jeta e Gerti Bogdanit për fat të keq nuk ishte ishte e gjatë, por në 44 vitet e tij, arriti të linte shenjë në politikë.
Ai ishte studenti ekselent, i cili braktisi Shtetet e Bashkuar të Amerikës për tu rikthyer në vitin 2005 në Shqipëri ku hodhi hapat e para të karrierës së tij politike pranë Partisë Demokratike.
Në 2007 ai fitoi garën e parë elektorale të tij në zgjedhjet e pjesshme vendore, ku u zgjodh kryetar i Minibashkisë numër 10 në Tiranë, e cila ishte dhe lagjja e tij ku u rrit.
Ai veshi për herë të parë xhaketën e deputetit në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të 2009, mandat të cilin e rinovoi edhe në garën elektorale të 2013.
Paralelisht me mandatin e ligjvënësit ai drejtoi Forumin Rinor të Partisë Demokratike si dhe mbajti postin e sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë të PD-së, detyre nga e cila hoqi dorë në vitin 2019 pasi politika nuk ishte me ne planet e tij.
Gara e fundit elektorale për Gerti Bogdanin ishin primaret e Sali Berishës ku kërkoi te ishte kandidat për Bashkinë e Tiranës, por në sfidën e zhvilluar në 2022 në Partine Demokratike ai nuk fitoi dot.
Baba i dy vajzave dhe bashkëshort i aktivistet Edlira Çepani, Gerti Bogdani vitet e fundit ishte tërhequr nga politika aktive, për sfida të reja, të cilat u ndërprenë në mes për shkak se zemra e tij pushoi së rrahuri para kohe për nga një arrest kardiak.
Top Channel