Politika shqiptare në zi/ Shuhet Gerti Bogdani, kolegët e dy kaheve politike reagojnë të pikëlluar, Salianji: Një nga më të mirët e PD-së!

18/09/2024 14:44

Politika shqiptare sot është në zi, në nder të ish-deputetit të Partisë Demokratike Gert Bogdani, i cili u nda nga jeta para kohe në moshën 44-vjeçare nga një arrest kardiak.

Të shumtë janë deputetët, përfshirë kryeministrin, kryeparlamentarja, kreu i PD-së etj, të cilët shprehin ngushëllime për ndarjen nga jeta të politikanit.

“E pabesueshme, kjo ikje pa kohë Gert!Tronditës lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta i mikut dhe ish-kolegut Gerti Bogdani. Një nga djemtë më të mirë në Partinë Demokratike, një nga të rinjtë më energjik dhe kontributor i palodhur që nga Forumi Rinor dhe deri në Parlamentin e Shqipërisë! Ngushëllime të sinqerta Edlirës, familjes dhe miqve! Prehu në paqe Gerti”, shkruan Ervin Salianji.

“Lajm i kobshëm ndarja e papritur nga jeta e kolegut tonë dhe ish-deputetit, Gerti Bogdani. Zor të gjesh fjalë që zbusin peshën e rëndë të dhimbjes e të zemrave të bëra gur prej tronditjes. Ngushëllime bashkëshortes, fëmijëve e familjarëve të Gertit. U prehsh në paqe e dritë të pastë shpirti”, shkruan nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi.

“Thellësisht i trishtuar nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani.Gjatë gjithë angazhimit të tij politik, ai krijoi një model pozitiv për të rinjtë duke i nxitur të jenë pjesë e vendimmarrjes. Ngushëllimet më të ndjera bashkëshortes Edlira, dy vajzave të tij, të afërmve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve, për këtë humbje të pazëvendësueshme. I paharruar kujtimi i tij! Të prehet në paqe!”-shkruan Ilir Meta.

““I keqardhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të Gert Bogdanit – ngushëllime bashkëshortes dhe familjes. U prehtë në paqe!”-shkruan Veliaj.

“Dhimbje e thellë për ndarjen nga jeta të kolegut tonë, ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, babait, bashkëshortit, birit, Gerti Bogdani. Na trondit me ikjen tënde, Gert! Ike shumë i ri, vetëm 44 vjeç! Ngushëllime nga zemra familjes! U prehsh në paqe! Të ndrittë shpirti”-shkruan Elisa Spiropali.

“Ndarja nga jeta në mënyrë të papritur e mikut tonë Gert Bogdani është nga lajmet më të rënda që kam përjetuar këto kohë! Qofsh i parajsës miku im”-shkruan Edith Harxhi.

“I qeshur, parimor & simpatik gjithmonë miku im në garë; Gert Bogdani sot largohet nga familja e tij që e adhuronte në Përjetësi. Shpirti në Paqe Qytetari Simbol i Tiranës”-shkruan Ervin Bushati.

“Ky lajm i zi në këtë moment më erdhi këtu në tavolinë. Ky është një lajm shokues. Gerti Bogdani ka qenë dhe do të mbetet në memorien time, njëri nga personalitetet e reja të PD-së më të njohura, më të shquara. Ka qenë një politikan demokrat, me civilitet, me formim me përgatitje, me ndershmëri, me urtësi, në shkallën më të lartë. Kjo është një humbje e madhe për PD-në, por është një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare. Gerti Bogdani ishte nga ata të rinj, pasardhës i një familje të shkëlqyer, të rreshtuar që në fillime me PD. I shkolluar me rezultatet më të larta në shkollat më të mira të SHBA. Ai midis një të ardhme në vendin ku u shkollua, ku kaloi vitet e rinisë studentore, dhe kontributet për vendin e tij dhe PD, zgjodhi këtë të fundit. Ky lajm shokues për mua dhe çdo demokrate e demokrat, por edhe çdo qytetare e qytetar që e ka njohur Gerti Bogdanin më erdhi në këtë moment si rrufe ne qiell të hapur. Dy net më parë e kam ndjekur në një studio televizive. Mendoj se në rast se ka një njeri që njoh unë, i cili tek çdo qytetare dhe qytetar, mik, shok i njohur, ka lënë vetëm përshtypje pozitive në çdo takim, në çdo komunikim, ky është Gerti Bogdani, ndaj dhe ju ftoj të ngrihemi dhe të mbajmë 1 minutë heshtje kujtimin e ndritur të këtij personaliteti të shquar, të ri, të PD.”-u shpreh Berisha.

“E pa besueshme,lajm i trishtë,lajm i zi,lajm shokues.Ndahet nga jeta ne moshen 44 vjeç ish Deputeti Gert Bogdani.Humbje e madhe per Partinë Demokratike dhe vendin.Ishte i shkolluar ne Amerik me rezultate te shkelqyer, intelektual, politikan, familjar model.I paharruar kujtimi dhe vepra e tij,u prehte ne paqe.Ngushellime familjes”-shkruan Lefter Maliqi.

Presidenti i vendit Bajram Begaj në një mesazh në rrjetet sociale ka shprehur ngushëllimet e sinqerta për familjen dhe miqtë e tij.

“Hidhërim për ikjen e beftë nga jeta të Gerti Bogdanit. Ngushëllime familjes së tij, bashkëshortes, të afërme, miqve dhe kolegëve!

Gerti Bogdani, i angazhuar që në rininë e tij në jetën publike të vendit, promovoi vlerat më të mira në qeverisjen lokale, jetën parlamentare dhe atë politike, duke i shërbyer vendit, kauzës së të rinjve për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe integrimit në BE”, shkruan Presidenti i vendit.

Kush ishte Gert Bogdani?

Jeta e Gerti Bogdanit për fat të keq nuk ishte ishte e gjatë, por në 44 vitet e tij, arriti të linte shenjë në politikë. Ai ishte studenti ekselent, i cili braktisi Shtetet e Bashkuar të Amerikës për tu rikthyer në vitin 2005 në Shqipëri ku hodhi hapat e para të karrierës së tij politike pranë Partisë Demokratike.

Në 2007 ai fitoi garën e parë elektorale të tij në zgjedhjet e pjesshme vendore, ku u zgjodh kryetar i Minibashkisë numër 10 në Tiranë, e cila ishte dhe lagjja e tij ku u rrit. Ai veshi për herë të parë xhaketën e deputetit në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të 2009, mandat të cilin e rinovoi edhe në garën elektorale të 2013.

Paralelisht me mandatin e ligjvënësit ai drejtoi Forumin Rinor të Partisë Demokratike si dhe mbajti postin e sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë të PD-së, detyre nga e cila hoqi dorë në vitin 2019 pasi politika nuk ishte me ne planet e tij. Gara e fundit elektorale për Gerti Bogdanin ishin primaret e Sali Berishës ku kërkoi te ishte kandidat për Bashkinë e Tiranës, por në sfidën e zhvilluar në 2022 në Partinë Demokratike ai nuk fitoi dot. Baba i dy vajzave dhe bashkëshort i aktivistes Edlira Cepani, Gerti Bogdani vitet e fundit ishte tërhequr nga politika aktive, për sfida te reja, te cilat u nderprenë në mes për shkak se zemra e tij pushoi së rrahuri para kohe nga një arrest kardiak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA