Komisioni i ri Europian ka marrë formën përfundimtare, me 6 zv/kryetarë ekzekutivë, me ish kryeministren e Estonisë Kaja Kallas që merr frerët e politikës së jashtme dhe sllovenen Marta Kos, të cilës i besohet portofoli i zgjerimit.
Zyrtarisht, emërimin ajo do ta marrë megjithatë vetëm nëse siguron mbështetjen e Kuvendit slloven dhe të Parlamentit Europian. Kos nuk është nominuar formalisht nga vendi i saj. Kjo kandidaturë ka shkaktuar debat në Slloveni, ku nuk është mbështetur nga opozita që pretendon se ajo ka qenë bashkëpunëtore e shërbimit sekret komunist të ish-Jugosllavisë.
Autoritetet sllovene e ndërruan në minutën e fundit kandidaturën e tyre, për të ndihmuar Ursula von der Leyenin të rriste numrin e grave në Komision, pasi ishte më pak se një e treta., ndersa tani ka 40% femra. Megjithatë, kërkesa e von der Leyenit u pa nga disa si ndërhyrje në sovranitetin e një vendi anëtar të BE-së.
Portofoli i zgjerimit ka rëndësi të veçantë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse të gjashtë vendet e tij, plus Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia, janë në proces të zgjerimit. Me përjashtim të Kosovës, të gjitha janë vende kandidate, e disa edhe në negociata për anëtarësim. Sipas traktateve të BE-së, secili vend anëtar ka të drejtë të ketë një komisionar.
Për rrjedhojë, Komisioni Evropian ka po aq anëtarë sa ka edhe vende anëtare, përkatësisht 27. Von der Leyen ka përsëritur disa herë se, gjatë mandatit të ardhshëm 5-vjeçar, do ta ketë prioritet zgjerimin e BE-së.
Top Channel