Analiza e CNN: Harris lë prapa Trump në debat, por nuk ka garanci që kjo do të përcaktojë zgjedhjet

11/09/2024 15:51

Që prej momenteve të hapjes së debatit të mbrëmshëm zv. presidentja vendosi kushtet e saj duke shkuar te podiumi i Trump e duke e detyruar t’i shtrëngojë dorën, duke komanduar përballjen e tyre tetë javë para ditës së zgjedhjeve.

Mbrëmja nuk mund të kishte shkuar më mirë për Harris, e cila u paraqit energjike dhe me vizion pozitiv për të ardhmen.

Trump foli dhe dënoi Amerikën si ‘një komb që po dështon’ por në fakt nuk dukej se ishte në formën më të mirë.

Megjithse ai kishte premtuar se do të vërtetonte thënien e boksierit Mike Tyson se “të gjithë thonë se kanë një plan, deri në momentin që u vjen grushti në fytyrë”, ai vetë u godit disa herë dhe arriti të kthente shumë pak nga goditjet, shkruan CNN.

Në një kohë kur sondazhet tregonin se votuesit kërkonin të dinin më shumë për Harris, zv. presidentja me performancën e saj duket se e bëri këtë.

Ndërsa Trump nuk bëri shumë përpjekje për të ndryshuar perceptimet e qëllimeve të tij të dyshimta, me votuesit e shteteve të pavendosura që mund të jenë në fakt përcaktues.

Por fitoret në debate nuk përkthehen gjithmonë në fitore të zgjedhjeve.

Nganjëherë duhen ditë ose javë që një debat presidencial të analizohet nga elektorati, dhe kandidatët që triumfojnë aty jo gjithmonë i fitojnë zgjedhjet.

Si Trump në zgjedhjet e 2016 dhe George W. Bush në 2004 besohej se i kishin humbur debatet elektorale por fituan për në Shtëpinë e Bardhë.

Prandaj megjithëse demokratët janë euforikë për performancën e Harris, gjykimi tyre bazohet vetëm në preferencat politike.

Trump ka avantazhin e dy çështjeve kryesore të fushatës, ekonominë dhe emigracionin.

Shumë votues ende presin ringritjen ekonomike të premtuar pas pandemisë që nuk ka shenja se po afrohet.

Ndërsa mesazhet e zymta të Trump për emigracionin e krimin edhe pse të ekzagjeruara, në të kaluarën kanë funksionuar.

Po ashtu gjithmonë ka shanse për evente të papritura në SHBA ose jashtë saj që mund të ndryshojnë sërisht balancat dhe votën dy muajt ne vijim.

Harris vendosi grackën dhe Trump ra vazhdimisht në të.

Ajo iu drejtua votuesve në shtëpi duke u zotuar të lehtësojë barrën e punëtorëve amerikanë që nuk përballojnë dot çmime e ushqimeve e të strehimit. Ajo provokoi Trump për mitingjet e mëdha dhe e quajti të dobët, shkruan CNN.

Ai ra në grackë çdo herë duke replikuar i nevrikosur e duke treguar se nuk është i përshtatshëm për një tjetër mandat.

Harris konfirmoi vlefshmërinë e vendimit të demokratëve për ta zëvendësuar Biden, duke çmontuar Trump nga karakteri, politikat dhe vlerat që ai mori me debatin e qershorit ndaj Biden, shkruan CNN.

Kur Trump acarohej, Harris ia kthente me të qeshur, nganjëherë duke mbajtur mjekrën me dorë.

Kur ajo pyeti Trump për fiksimin e tij me mitingjet, ai i dha një mundësi për të përmendur çështjen delikate të kufirit jugor dhe emigracionit. “Le të pëgjigjem për mitingjet,” tha Trump. “Njerëzit nuk largohen nga mitingjet e mia. Ato janë të mëdha dhe më të bukurat në historinë e politikës”.

Ky ishte një shembull sesi Harris përdori gabimet e supozuara të karakterit të Trump për të dëmtuar vetë performancën e debatit të tij, sipas CNN.

Pasi refuzoi të përfshihej në tentativat e Trump për t’i kthyer zgjedhjet në një referendum për origjinën apo gjininë e saj, Harris e portretizoi atë si një forcë përçarjeje që kërkon të shfrytëzoje plagët e Amerikës për përfitim personal, shkruan CNN.

“Është një tragjedi që dikush që kërkon të bëhet president, ka përdorur çështjen racore për të përçarë amerikanët”, tha ajo.

Ajo përmendi gjithashtu 13 ushtarë amerikanë të vrarë në 2021 gjatë largimit kaotik të SHBA nga Afganistani.

Momentet më të forta për Trump erdhën nga fundi kur dënoi Harris e Biden për pushtimin e Ukrainës dhe konfrontimin me Rusinë, duke u zotuar të mbyllë konfliktin, përkundër zotimeve të demokratëve për të mbështetur Kievin deri në fund.

Harris tha se plani i Trump sjell një paqe që favorizon Presidentin Vladimir Putin.

“Nuk po kandidon kundër Joe Biden, po kandidon kundër meje,” i tha me tej zv. presidentja duke tentuar ta paraqiste rivalin si të dizorientuar. /CNN/

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA