Mjekët pezullojnë punën në privat! Efektet e hyrjes në fuqi të aktit normativ që u vështirëson dypunësimin

07/09/2024 15:32

Ndonëse Akti Normativ, i cili kufizon punësimin e mjekëve në spitalet jopublike ka hyrë në fuqi, mjekët janë ende të paqartë.

Disa prej tyre kanë pezulluar oraret e planifikuara me pacientët në spitalet private, por nuk dinë si do të vijojnë më tej. Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se po punohet për ta kompletuar me aktet  nënligjore dhe këto ditë nis diskutimi në Komisionin e Shëndetësisë,  me pas do të krijohet një regjistër elektronik me mjekët që do të kërkojnë të punojnë në spitale private.

Ndërkohë që pritet të dalë udhëzimi i ministres për drejtuesit e spitaleve, të cilët do të nisin të grumbullojnë kërkesat e mjekëve që duan  të punojnë në spitale, brenda datës 12 shtator duhet që Ligji i urdhrit të mjekut i ndryshuar të kalojë në parlament.

“Jemi duke mbledhur informacion nga institucionet publike, nga spitalet, për mjekët që punojnë edhe në sistemin jopublik dhe më pas për të orientuar nëpërmjet këtyre Akteve Nënligjore, të gjithë titullarët, në mënyrë që edhe ata të orientohet si të procedohet, pasi ky Akt parashikon që është titullari i institucionit ai që do të vlerësojë kërkesën e mjekut për të punuar në sistemin jopublik, mënyrën si ai do ta japë atë shërbim, pa cenuar shërbimin që ai jep në publik”, shprehet zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Entela Kolovani.

Përveç mjekëve që kanë funksione drejtuese në shërbimet e spitaleve publike apo në Universitetin e Mjekësisë, mjekët e tjerë mund të punojnë në privat, por jo më shumë 30% e orëve të punës që bëjnë  në spital publik. Por, përveç mos dakordësisë së mjekëve, ky akt normativ ka hasur kundërshtinë e Urdhrit të Mjekut, i cili ka paralajmëruar se do ta çojë në Gjykatë Kushtetuese me shpresën se ky organ do ta rrëzojë atë pasi me ndryshimet bëra në ligj është shkelur pavarësia e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA