Rritja e infertilitetit tek çiftet e reja është globale.
Rreth 53,6 milionë gra të moshës 35 deri në 50 vjeç nuk arrijnë të mbeten shtatzënë. Por shkaku jo gjithmonë është gruaja, pasi në këtë fazë ajo mund të riprodhojë edhe pse mjekët thonë se pas të tridhjetave shanset ulen, pasi bie cilësia e vezëve. Por infertiliteti është rritur edhe tek meshkujt. Shkenca tanimë ofron zgjidhje.
Inovacioni dhe teknologjia në trajtimin e infertilitetit kanë rritur numrin e çifteve që kërkojnë ndihmë për të arritur një shtatzëni.
Në një konferencë me mjekë obstetër-gjinekologë, embriologë, nutricionistë nga Shqipëria dhe profesorë të huaj të njohur, në prani të ekspertes me famë botërore në fushën e riprodhimit, u diskutua mbi fertilizimin.
“Është një konferencë e jashtëzakonshme nga pikëpamja shkencore. Ka folës të shkëlqyer, të cilët kanë trajtuar tema të rëndësishme, si ndikimi i shëndetit të spermës dhe i shëndetit të përgjithshëm të babait në shëndetin e fëmijëve të ardhshëm. Konferenca solli informacion të avancuar dhe bashkëkohor mbi zhvillimet shkencore dhe mjekësore në fushën e shëndetit riprodhues”, u shpreh Prof. Dr. Joyce Harper nga ‘University College London’.
Fertiliteti duhet trajtuar si një prioritet i shëndetit publik në të gjithë botën, duke ofruar zgjidhje dhe akses për çiftet e reja që hasin vështirësi.
Top Channel