Një dhëmb i prishur ka pasoja për të gjithë shëndetin dhe ndoshta shpesh e keni neglizhuar, pasi në klinikat stomatologjike private kostot janë të larta, duke pritur deri sa dhimbja të jetë e padurueshme.
Por QSUT ofron shërbim falas në Klinikën Stomatologjike Universitare, e cila ka kushtet dhe pajisjet e fjalës së fundit që nuk i gjen në të gjitha klinikat private.
“Kam për të hequr 5 dhëmbë. Më thanë është shumë mirë dhe qenka vërtet shumë mirë”, u shpreh një pacient.
Por cila është grupmosha që përfiton shërbimet falas në Klinikën Stomatologjike Universitare?
“Përfitojnë falas deri në 18 vjeç, grupet në nevojë”, shprehet Belisa Kaleci, drejtoreshë e Klinikës Stomatologjike Universitare.
Por cilat janë shërbimet që kryhen në Klinikën Stomatologjike Universitare?
“Që nga më të thjeshtat deri në ngritje sinusesh, kirurgji, grafi, skaner 3D i fjalës së fundit. Skaneri ka një tarifë, por disa fish më të ulët se klinikat stomatologjike private”, shton Kaleci.
Por si mund të përfitohet shërbimi dentar në Klinikën Stomatologjike Universitare?
“Mjafton vetëm karta e identitetit, mjeku përcakton diagnozën dhe të drejton se në cilin kabinet duhet të marrësh shërbim”, përfundon Kaleci.
Në Klinikën Stomatologjike Universitare kryhen 50 trajtime çdo ditë dhe afro 12 mijë në vit.
Top Channel