Të hënën nis viti i ri shkollor dhe Bashkia e Tiranës ka marrë masa për të shmangur trafikun në kryeqytet, duke mos lejuar qarkullimin e mjetet te furnizimit të dyqaneve dhe marketeve në orarin që përkon me nisjen e mësimit.
“Nga dita e hënë do të hyjë në fuqi edhe udhëzimi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që përcakton se mjetet e furnizimit të dyqaneve dhe marketeve nuk mund të qarkullojnë nga ora 7:00 deri në orën 9:00. Në asnjë vend të botës nuk ndodh që të lëvizin në këtë orë“, u shpreh kryebashkiaku Erion Veliaj.
Një apel kryebashkiaku kishte edhe për prindërit që të shmangnin automjetin për të çuar fëmijët në shkollë.
“Dua ta përdor këtë mundësi për të bërë një apel për ditën e hënë, kur fillon shkolla. E ka bërë këtë apel Policia Bashkiake, Policia e Rrugore, Policia e Shtetit, sepse është shumë shumë e rëndësishme, sidomos në lagje të tilla, kur tani ka edhe shkolla të reja në thuajse çdo lagje, se nuk ka sens t’i hipim makinës për të çuar fëmijët në shkollë“, tha Veliaj.
Këto deklarata kryebashkiaku i bëri nga shkolla 9-vjeçare “Misto Mame” në Njësinë 8 ku mbylli edhe turin e inspektimeve në shkollat e kryeqytetit, para nisjes së vitit të ri shkollor,
“‘Misto Mame’ është një nga shkollat me performancën më të lartë në Tiranë. Ndonjëherë, nga mania për t’i çuar fëmijët në shkolla në qendër të Tiranës, harrojmë se ka super shkolla te Medreseja”, shtoi Veliaj.
Top Channel