Nën diellin e nxehtë të bregdetit Adriatik të Italisë, një grup emigrantësh nga Bangladeshi luajnë sportin e tyre të preferuar, kriketin, në një fushë të vogël betoni.
At po luajnë në periferi të Monfalcone, pranë aeroportit të Trieste, sepse janë ndaluar nga kryebashkiakja të luajnë këtë sport brenda qytetit, dhe përballen me gjoba deri në 100 euro nëse e bëjnë.
“Nëse luajmë në Monfalcone, vjen policia e na ndalon,” thotë kapiteni i skudrës Miah Bappy.
Ai tregon se një grup të rinjsh nga Bengali ishin duke luajtur sportin e tyre kombëtar në park, por patrulla e policisë i ndaloi dhe i gjobiti.
“Ata thonë se kriketi nuk është për Italinë, por nëse do të themi të vërtetën e bëjnë sepse ne jemi të huaj.”
Ndalimi kriketit vjen pas një serie tensionesh dhe urrejtjeje ndaj emigrantëve të shumtë në Itali.
Qyteza e Monfalcone ka rreth 30,000 banorë dhe rreth një e treta janë tashmë të huaj. Muslimanët nga Bangladeshi nisën të vinin këtu në vitet 1990-të për të punuar në ndërtimin e anijeve të mëdha kroçera.
Kryebashkiakja e djathtë Anna Maria Cisint thotë tashmë se rrezikohet esenca kulturore e Monfalcone dhe se do të veprojë për të mbrojtur vlerat kristiane të qytetit të saj sipas dëshirës së votuesve që e zgjodhën vitin e shkuar.
“Historia jonë po fshihet,” thotë ajo. “Është sikur tashmë ajo nuk ka më rëndësi, çdo gjë po ndryshon për më keq”.
Në Monfalcone, italianët me veshje perëndimore shoqërohen me aziatikët me veshje tradicionale arabe teksa një rrugë është e mbushur me restorante nga Bangladeshi e dyqane ‘hallall’.
Kryebashkiakja në mandatin e dytë ka hequr stolat ku uleshin bangladeshasit në park dhe kërkon largim të veshjeve muslimane te grave në plazh.
“Ka një proces të fortë islamizimi, një kulturë ku gratë trajtohen të shtypura nga burrat”, thotë ajo për rrjetin BBC duke shtuar dhe për ndalimin e sportit të preferuar prej bangladeshasit.
“Ata nuk japin gjë për qytetin apo komunitetin tonë. Zero. Mund të shkojnë të luajnë kriket jashtë Monfalcone.”
Prej pikëpamjeve të saj ndaj muslimanëve ajo ka marrë kërcënime dhe tashmë mbrohet nga policia.
Kryeministrja Giorgia Meloni ka shtuar numrin e lejeve të punës për emigrantë nga jashtë BE, megjithëse më herët zotohej se përpiqej të reduktonte emigracionin.
Por Anna Maria Cisint beson se stili jetesës së komunitetit nga Bangladeshi “është i papërshtatshëm me atë të italianëve”.
Në Monfalcone kishte tensione ku autoritetet ndaluan një lutje masive pranë dy qendrave islamike të qytetit.
“Banorë të qytetit nisën të më dërgonin këto foto shokuese me numra të mëdhenj njerëzish që luteshin në qendrat islamike, një prej tyre kishte më shumë se 1000 vetë”.
“Kishte biçikleta të shumta në trotuar dhe lutje me zë të lartë, pesë herë në ditë, edhe natën”.
Emigranti Miah Bappy pret këtë vit pasaportën e tij itlaiane, por nuk është i sigurt nëse do të jetojë në Monfalcone.
“Ne nuk shkaktojmë probleme, ne paguajmë taksat”, thotë punonjësi i kantierit të anijeve, por kryebashkiakja thotë se nuk heq dorë nga fushata kundër atyre që duan të islamizojnë Italinë. Ajo tashmë është zgjedhur për në Parlamentin Evropian ku do të kenë mundësinë të flasë mesazhin e saj dhe në Bruksel, shkruan rrjeti britanik BBC.
Top Channel