Prokuroria kërkon rikthimin e çështjes ndaj ish-Presidentit Trump për dokumentet e klasifikuara

27/08/2024 07:14

Prokurori i posaçëm Jack Smith i kërkoi të hënën një gjykate federale të apelit të rikthejë çështjen penale që akuzon ish-Presidentin Donald Trump për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara, pasi një gjykatë më e ulët e rrëzoi këtë padi në korrik.

Në kërkesën e paraqitur në gjykatë, prokurori Smith dhe ekipi i tij i kërkojnë Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara me seli në Atlanta, që ka juridiksionin për Qarkun e 11-të, të anulojë vendimin e 15 korrikut të dhënë nga gjyqtarja Aileen Cannon, ku ajo arriti në përfundimin se prokurori Smith ishte emëruar në mënyrë të paligjshme dhe se nuk kishte autoritetin ligjor për ngritjen e padisë.

“Kongresi i ka dhënë Prokurorit të Përgjithshëm, ashtu si drejtuesve të shumë departamenteve të ekzekutivit, autoritet të gjerë për të strukturuar agjencinë që ai drejton për të ushtruar përgjegjësitë e vendosura mbi të me ligj”, shkruhet në kërkesën e prokurorisë.

“Pikëpamja e kundërt e gjykatës së rrethit bie ndesh me një kurs ndryshe të pandërprerë vendimesh, përfshirë nga Gjykata e Lartë, se Prokurori i Përgjithshëm e ka një autoritet të tillë dhe është në kundërshtim me praktikat e gjera dhe të hershme të emërimeve në Departamentin e Drejtësisë dhe në të gjithë qeverinë”.

Departamenti i Drejtësisë ishte shprehur më parë se kishte në plan ta apelonte vendimin e gjykatëses.

Në kërkesën e së hënës, zyra e prokurorit Smith i kërkoi gjithashtu gjykatës së apelit të caktojë një datë për paraqitjen e argumenteve verbale.

Gjykatësja Cannon, e emëruar në këtë detyrë nga ish-Presidenti Trump, ishte shprehur se vendimi i Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland për të emëruar prokurorin e posaçëm Smith në vitin 2022 shkelte Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Ajo gjithashtu vendosi se buxheti i zyrës së tij, që financohet nga një fond i pacaktuar, ishte i paligjshëm.

Avokatët e ish-Presidentit Trump patën kundërshtuar më parë autoritetin ligjor për emërimin e prokurorit Smith, duke argumentuar se zyra e prokurorit Smith nuk ishte krijuar nga Kongresi dhe ai nuk ishte konfirmuar nga Senati si prokuror i posaçëm.

Ekipi elektoral i ish-Presidentit Trump tha të hënën se gjykata duhet ta refuzojë kërkesën e prokurorit Smith dhe se duhet të pushohen çështjet e tjera me të cilat përballet ish-presidenti.

Vendimi i gjykatëses Cannon është përballur me kritika të ashpra, ndërsa shumë juristë thonë se bie ndesh me vendimet e mëparshme gjyqësore, që mbështesin ligjshmërinë e rregullave tek të cilat Departamenti i Drejtësisë është mbështetur prej vitesh për emërimin e prokurorëve të posaçëm.

“Prokurori i Përgjithshëm emëroi në mënyrë të vlefshme Prokurorin e Posaçëm, i cili gjithashtu financohet siç duhet”, shkruajti zyra e prokurorit Smith, duke shtuar se gjykatësja Cannon “kishte devijuar nga precedenti detyrues i Gjykatës së Lartë” dhe se gjithashtu kishte “keqinterpretuar statutet që autorizonin emërimin e Prokurorit të Posaçëm”.

Vendimi i gjykatëses Cannon për ta pushuar çështjen shënoi një fitore ligjore për ish-Presidentin Trump dhe erdhi jo shumë kohë pasi Gjykata e Lartë vendosi se ai kishte imunitet të gjerë nga ndjekja penale për veprimet zyrtare të ndërmarra gjatë kohës që ishte në detyrë.

Ky vendim i Gjykatës së Lartë ka çuar në vonesa të mëdha në çështjen e dytë penale të prokurorit Smith ndaj ish-Presidentit Trump, në të cilën ish-presidenti po përballet me akuza për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Prokurori Smith përballet me një afat deri të premten për t’i paraqitur gjykatës se si dëshiron të vazhdojë, në dritën e vendimit të Gjykatës së Lartë.

Ish-Presidenti Trump, i cili kandidon në zgjedhjet presidenciale përballë Nënpresidentes Kamala Harris, u gjend fajtor në maj për akuzat e ngritura nga shteti i Nju Jorkut, që përfshinin pagesat për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, për të shmangur një skandal seksual përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

Dhënia e dënimit është shtyrë pas vendimit të Gjykatës së Lartë për imunitetin presidencial.

Në çështjen e dokumenteve të klasifikuara, ish-Presidenti Trump u padit me akuzat se mbante me dashje dokumente të sigurisë kombëtare në pronën e tij Mar-a-Lago në Florida, pas largimit nga detyra në vitin 2021 dhe se pengoi përpjekjet e qeverisë për t’i marrë këto materiale. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA