Ligjet për ‘kolaboracionistët’ në Ukrainë, dënojnë dhe ata që nuk kanë bashkëpunuar kurrë me rusët (fotot)

22/08/2024 16:13
Tetyana Potapenko

“Unë nuk meritoj të jem këtu” është një shprehje proteste që mund ta dëgjosh nga shumë të dënuar, por teksa flet e veshur me kominoshet e saj të burgut, Tetjana Potapenko ngul këmbë se nuk është ajo për çka e ka dënuar shteti i Ukrainës.

Një vit që prej dënimit të saj, ajo është një prej shumë të dënuarve si “kolaboracionistë me armikun”, e mbajtur në izolim nga të dënuarit e tjerë.

Burgu pranë Dnipro, është rreth 300km larg qytezës së Tetjanës, Lyman, e cila gjendet pranë linjës lindore të frontit dhe u pushtuar për disa muaj nga rusët në 2022.

Gruaja shpjegon se kishte qenë vullnetare për punët e lagjes ku banonte prej 15 vitesh, por ajo që i kushtoi shtrenjtë, ishte vijimi kryerjes së detyrave në kohën kur erdhi ushtria ruse.

Prokurorët ukrainas thonë se ajo kishte marrë rolin ilegal me pushtuesit, ku përfshihej dhe shpërndarja e ndihmave të popullatës.

“Dimri mbaroi dhe njerëzit nuk ksihin ushqim, dikush duhet të punonte me shpërndarjen. Unë nuk i lija dot të vjetrit, isha rritur me ta”, thotë Tetjana.

54-vjecarja është një nga totali prej rreth 2,000 ukrainas që janë dënuar sipas legjislacionit të bashkëpunimit me rusët, i hartuar shpejt pas nisjes së operacionit ushtarak në 2022.

Para pushtimit gruaja bashkëpunonte me zyrtarët lokalë për të ndihmuar fqinjët e moshuar me materiale si dru zjarri.

Kur rusët u vendosën në qytet, ajo u bind nga banorët të bashkëpunonte me ta për të shpërndarë ndihma dhe mjekime në zonë.

“Unë nuk bashkëpunoja me dëshirë,” tregon Tetjana. “I shpjegova atyre se të moshuarit e të paaftët nuk mund të merrnin mjekimet. Dikush e filmoi dhe e postoi në rrjet, dhe prokurorët thonë se po bashkëpunoja me pushtuesit”.

Pas largimit të rusëve nga Lyman në gjykatë u shfaqën dokumentet që ajo kishte firmosur.

“Ku është krimi im këtu? Që përpiqem për njerëzit e mi?” pyet ajo. “Nuk kam punuar për rusët, unë vetëm mbijetova dhe tani e gjej veten në burg.”

Ekspertja ligjore vendase Onysiya Syniuk shpjegon qëllimin e legjislacionit ukrainas për kolaboracionistët, ndërsa shton:

“Por ky legjislacion përfshin të gjitha aktivitetet, madje dhe ato që nuk bien ndesh me sigurinë kombëtare”.

Shkeljet kryesore përfshijnë mohimin e paligjshmërisë së pushtimit rus, mbështetje personale apo online per të, si dhe rolet politike e ushtarake me fuqinë pushtuese.

Por Syniuk dhe grupi i saj thonë se kanë analizuar shumicën e dënimeve dhe janë të shqetësuar se legjislacioni është tepër gjithëpërfshirës deh se autoritetet duhet të marrin parasysh realitetin e jetës nën regjimin pushtues.

Ekspertja ligjore vendase Onysiya Syniuk

“Edhe njerëz që kryenin shërbime vitale për komunitetin e tyre në territoret e pushtuara bien brenda këtij legjislacioni”, thotë Syniuk.

Gazetarët e rrjetit BBC shkojnë në shtëpinë e Tetiana, bashkëshorti i të cilës është në shëndet të dobët ndersa djali i tyre është me paaftësi.

Gjurmët e luftës në Lyman janë të dukshme teksa jeta civile është përfshirë nga uniformat e gjelbra ushtarake dhe gjurmët e plasjes së predhave.

Bashkëshorti i Tetyana, 73 vjeçari Volodymyr Andreyev, thotë se është i bllokuar në shtëpi dhe mungesa e bashkëshortes ndjehet shumë, ndërsa bashkë me të birin po mundohen të kalojnë me ndihmën e fqinjëve.

Kjo është pjesë e betejës së Kievit me kolaboracionistët, disa prej të cilëve kanë kryer dhe krime më të rënda si dhënie informacioni apo organizim referendumesh për të legjitimuar forcat pushtuese, shkruan BBC.

Sipas Koventës së Gjenevës forcat ruse duhet ë lejojnë mjetet e jetesës për popullatën e pushtuar, siç bëri dhe Tetjana Potapenko kur trupat hynë në Lyman në maj 2022.

Në një tjetër rast, një drejtor shkolle është dënuar për pranimin e kurikulës ruse të mësimit, edhe pse avokati i tij tha se kishte pranuar materialet ruse por nuk i kishte përdorur.

Ndërsa në rajonin Kharkiv një menaxher stadiumi përballet me 12 vjet burg për vazhdimin e pritjes së ndeshjeve të sportit gjatë kohës së pushtimit. Avokati i tij thotë se ka organizuar vetëm dy ndeshje miqësore mes skuadrave lokale.

Sipas kombeve të Bashkuara, dënimet e kolaboracionistëve shkelin ligjin ndërkombëtar humanitar.

“Krimet janë kryer në territor të pushtuar, dhe ata që i kanë shkaktuar dëm Ukrainës duhet të mbajnë përgjegjësi, por ligji shpesh është aplikuar padrejtësisht”, thotë Danielle Bell, drejtuese e grupit monitorues të OKB në vend.

Ajo argumenton se ligji nuk merr parasysh motivet, si për shembull fitimi të ardhurave për të jetuar, apo nëse ishte bashkëpunim në të mirë të luftës dhe pushtimit.

“Ka raste të panumërta që njerëzit kanë vepruar me detyrim, ose kanë kryer veprime me qëllimin e vetëm për të mbijetuar”, shton monitoruesja. /BBC/

FOTO GALERI
4/5
Ekspertja ligjore vendase Onysiya Syniuk

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA