Klea Prenga, e cila u sulmua brutalisht disa ditë më parë nga motrat Antonela dhe Mariela Berisha, ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale foto që tregojnë përmirësimin e gjendjes së saj shëndetësore
Në këto imazhe, duket qartë se plagët e marra kanë filluar të shërohen, edhe pse shenjat e dhunës janë ende të dukshme.
Prenga është duke marrë trajtimin e nevojshëm për t’u rikuperuar plotësisht nga dëmtimet që pësoi gjatë sulmit. Përkrah fotove, Klea ka ndarë një mesazh frymëzues me ndjekësit e saj, duke cituar këtë frazë nga Bibla.
“Asnjë armë e krijuar kundër jush nuk do të ketë sukses”, shkruan ajo.
Kujtojmë se policia ka sekuestruar dy automjetet që u përdorën nga motrat Antonela dhe Mariela Berisha ditën kur u dhunua Klea Prenga. Me njërin mjet vajzat lëvizën nga restoranti në banesën e tyre te zona e Rrugës së Kavajës në Tiranë, dhe me tjetrin u larguan nga banesa në drejtim të paditur.
Makinat u identifikuan nga kamerat e sigurisë dhe u sekuestruan nga policia. Makinat kanë qenë në përdorim të personave të tjerë, miq të motrave.
Policia vijon kërkimet për kapjen e tyre ndonëse nga sistemi TIMS rezulton që s’kanë dalë jashtë vendit.
Top Channel