Autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet! Në listën e qeverisë edhe rruga Ndroq-Plepa dhe bypass-i i Elbasanit

19/08/2024 13:22

Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra do të shërbejë për emergjencat do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 298.8 milionë euro.

Puna për zgjerimin e autostradës nis me përfundimin e sezonit veror në 2 lotet e para kthesa Kamzës-Vorë dhe Vorë-Sukth, për të cilët janë shpallur edhe fituesit.

Por kjo nuk do jetë rruga e vetme e re që do të zgjerohet, pasi për vitin 2025-2027 do ketë të tjera projekte të mëdha. Konkretisht rruga e re Tiranë-Ndroq-Plepa, që mund të shërbej si alternative nëse autostrada Tiranë-Durrës bëhet me pagesë, pritet të kushtojë 87 milionë euro, ndërsa projekti për Baypassin e Elbasanit që është futur në listën e prioriteteve të maturuara do të kushtojë 240 milionë euro.

Një tjetër rrugë e rëndësishme është ajo Elbasan- Lekaj, që është parashikuar të kushtojë 360m milionë euro.

Nga lista e prioriteteve të maturuara është hequr Aeroporti i Sarandës pasi ka ndryshuar vendndodhja për në Gjirokastër dhe është shtuar projekti i ri i Baypassit të Sarandës me vlerë 34 milionë euro.

Lista fillestare e prioriteteve ka ndryshuar jo vetëm për vlerat por edhe për projektet që janë shtuar ose hequr. Në dokumentin e miratuar 5 muaj më parë projekt i maturuar, pra që ishte në fazë të avancuar ishte edhe hidrocentrali i Skavicës, por me ndryshimet e bëra Skavica me vlerë investimi 800 milionë euro ka kaluar në listën e projekteve pjesërisht e maturuar.

Në dokumentin e ri janë 51 projektet prioritare të maturuara, të cilat konsiderohen në fazë të avancuar pasi ka përfunduar studimi i fizibilitetit apo studime të tjera të projektit, vlera e të cilave kapërcen shifrën e 4.5 miliardë eurove.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA