Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Pogradec, ku Egli Proga, 42-vjeçari nga Pogradeci, humbi jetën pas dhunës brutale nga 29-vjeçari Denis Meçe, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar inspektimin e procedurave të kryera nga Policia e Pogradecit, në qarkun e Korçës.
Ai urdhëroi sot Drejtorinë e Standardeve Profesionale për kryerjen e vlerësimit të zbatimit të detyrave të strukturave në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, dhe në Komisariatin e Pogradecit, lidhur me ngjarjen ku, pas një konflikti, humbi jetën 42-vjeçari Egli Proga.
Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të vlerësojë të gjithë tërësinë e veprimeve dhe reagimit të punonjësve të policisë, prej momentit të parë të marrjes së njoftimit mbi ngjarjen, duke synuar nxjerrjen e përgjegjësisë dhe personave përgjegjës, nëse rezultojnë të tillë. Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit shpreh edhe një herë angazhimin maksimal për zbatimin e ligjit dhe punën profesionale dhe me integritet të strukturave të policisë.
Ngjarja fillimisht u raportua si aksidentale, ku u tha se Proga humbi jetën pasi u rrëzua në rrugë, por pas pretendimit të familjarëve se ishte dhunuar, rezultoi se ai vdiq si pasojë e plagëve të marra nga dhunimi që iu bë nga Meçe, teksa u la për 30 minuta i shtrirë në Rrugë.
Pas raportimi të ngjarjes në media dhe zbulimit të situatës, mbrëmjen e sotme policia ka reaguar dhe ka deklaruar se nuk është tentuar që ngjarja të fshihet.
Top Channel