Në një kohë që Edi Rama u shfaq në bregdetin e Himarës krah kryebashkiakut te zgjedhur Vangjel Tavo me laps e me letër për projektet e reja, 28 deputetë demokratë mblodhën firmat për t’i kërkuar kryeparlamentares Elisa Spiropali t’i ndërpresë pushimet e të rikthejë në punë socialistët.
Qëllimi i opozitarëve është thirrja e një seance te jashtëzakonshme të Parlamentit për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.
Gazment Bardhi: Për shkak të krizës kushtetuese të krijuar nga ana e Kuvendit, cenimit të themeleve të shtetit demokratik që ka vënë në diskutim edhe vetë rolin dhe funksionin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe zvarritjes së tejzgjatur prej më shumë se 2 viteve të kësaj çështjeje, që ka shkaktuar vonesa që e çojnë shqyrtimin në limitet kohore të mundësisë për vlerësim nga Gjykata Kushtetuese, në deklaratën publike të datës 10 Korrik 2024 të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, por edhe në paragrafin 65 të vendimit nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetuese, kërkohet shqyrtimi i menjëhershëm dhe me përparësi i kësaj çështje nga Kuvend.
Gjykata Kushtetuese në vendimin e dytë të saj në lidhje me mandatin Olta Xhaçkës, nënvizoi se përmes injorimit të vendimit të saj të parë për të njëjtën çështje, Kuvendi ka krijuar një krizë kushtetuese ndërsa i kujtoi ligjvënësve se vendimet e saj janë të detyrueshme ndaj duhet ti dërgojnë sa më parë trupës se saj mandatin e deputetes socialiste për shqyrtim.
Top Channel