“Shqipëria të kthejë diasporën”, këshilla e Bankës Botërore pas raportit të fundit: Të shfrytëzojë njohuritë e emigrantëve

06/08/2024 19:51

Shqipëria duhet të bindë diasporën e saj të kthehet për të investuar njohuritë e marra në vendet perëndimore. Kjo është këshilla kryesore e bankës botërore në raportin e saj të titulluar “kurthi i vendeve me të ardhura të mesme”.

Vendi ynë futet te kategoria e vendeve që mund të përftojë nga njohuria e specializuar e diasporës, që mund të kthehet për të investuar në teknologji dhe inovacion.

Por thithja e këtyre talenteve nuk është e lehtë, pasi njerëzit e specializuar janë shumë të lëvizshëm dhe i përgjigjen më së shumti incentivave monetare, si dhe strukturave mbështetëse kërkimore, por edhe praninë e një komuniteti të gjerë kërkuesish pranë tyre.

Në analizën e saj banka botërore vlerëson se thithja e trurit kërkon që qeveritë të marrin masa për të ulur taksat për të rikthyerit, që mund të thithë edhe investitorë të huaj, ndërsa përfitimi është i ndërsjellët dhe për ta.

“Një emigrant shumë i aftë që zhvendoset në një vend me të ardhura të larta, por nuk mund të gjejë një punë – ose duhet të punojë si shofer taksie – nuk mund të fitojë aftësi të reja, ndërsa ai që punon duke përdorur aftësitë e tij/saj si menaxher, profesionist ose teknik ka më shumë gjasa të fitojë aftësi dhe të prodhojë vlerë të shtuar për ekonominë”

Qeveritë kanë detyra të rëndësishme nëse duan të kapërcejnë këtë kurth sipas raportit. Për të shfrytëzuar potencialin e thithjes së trurit duhet të promovojnë shkëmbimin e njohurive dhe lidhjet ndërmjet diasporës dhe liderëve dhe investitorëve vendas të industrisë. Banka Botërore në një analizë të diasporës të më shumë se 60 shteteve, vlerëson se 30% e diasporës shqiptare janë në punë të mira dhe me aftësi të larta, ndërsa gati 15% kanë emigruar në Evropën Perëndimore dhe Amerikën Veriore. Kjo na pozicionon në mesin e vendeve me potencial për një diasporë që mund të sjellë njohuri dhe ide të reja për të bërë diferencën në komunitetet e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA