Tre aktivistë rusë, që u liruan në kuadër të këmbimit të të burgosurve të orkestruar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, falënderuan të gjithë ata që ndihmuan në lirimin e tyre dhe paralajmëruan se nuk duhet të besohet se të gjithë rusët mbështesin pushtimin rus të Ukrainës.
Vladimir Kara-Murza, Andrei Pivovarov, dhe Ilya Yashin, që ishin të burgosur në Rusi për shkak se kundërshtuan luftën, mbajtën një konferencë për media në Bon të Gjermanisë më 2 gusht, një ditë pas këmbimit historik të të burgosurve.
Kara-Murza, që ka shtetësi ruse dhe britanike, tha se 16 jetë u shpëtuan në këmbimin e të burgosurve, përmes së cilit u liruan edhe shtetasit amerikanë, Alsu Kurmasheva, Evan Gershkovich, dhe Paul Whelan, të cilët shkuan në SHBA më 1 gusht dhe u bashkuan me familjarët e tyre.
Kara-Murza tha se dallimi mes diktaturës dhe demokracisë është se në demokraci jeta e njeriut është e shenjtë. Ai i bëri thirrje botës që të bëjë dallimin mes popullit të Rusisë dhe presidentit të këtij shteti.
“Ka shumë njerëz në Rusi që janë kundër luftës, që nuk i besojnë propagandës së Kremlinit”, tha kritiku i Kremlinit, i cili ishte duke vuajtur 25 vjet burgim nën kushte të rënda, para se të lirohej.
Pivovarov po ashtu falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në këmbimin e të burgosurve dhe kërkoi që populli rus të mos asociohej me politikat e Qeverisë. Ai tha se detyrë e tij dhe disidentëve të tjerë të liruar është që të punojnë që Rusia të jetë “e lirë dhe demokratike”.
Yashin shprehu mendim tjetër, duke thënë se i vjen keq që është dëbuar dhe shtoi se pasi shkoi në Turqi, shprehu dëshirën që të kthehej në Rusi.
“Unë nuk kam dhënë pëlqim që të dërgohem jashtë Rusisë”, tha ai gjatë konferencës për media.
“Ajo që ndodhi më 1 gusht nuk ishte këmbim. Ky është dëbimi im nga Rusia, pa pëlqimin tim. Dëshira e parë që shpreha në Ankara ishte të blija një biletë dhe të kthehesha në Rusi”.
Por, ai shtoi se një zyrtar i shërbimit të inteligjencës ruse, FSB, i tha se nëse kthehej në Rusi, “ditët e tua do të jenë sikurse të Navalnyt”, referencë për politikanin opozitar rus, Aleksei Nvalny, i cili vdiq në shkurt në një burg rus.
Po ashtu, ky zyrtar rus i tha atij që nëse kthehej, nuk do të kishte më këmbim të të burgosurve.
Duke e përshkruar veten si “patriot rus”, Yashin tha se do të vazhdojë aktivitetin e tij politik dhe punën e tij për një Rusi të lirë.
Yashin po ashtu tha se këmbimi i të burgosurve paraqet “një dilemë të vështirë”, duke shtuar se ky këmbim “do ta inkurajojë presidentin rus, Vladimir Putin, që të marrë më shumë pengje”.
Por, Pivovarov tha se këmbimi i të burgosurve i shpëtoi ata nga vdekja, ndërkaq Kara-Murza tha se deri më 1 gusht ai ishte i bindur se do të vdiste në burgun rus. Ai shtoi se e di që një ditë do të kthehet në Rusi dhe se ajo ditë do të vijë kur Rusia të jetë e lirë./Rel
Top Channel