Skandali i mikrokredive/ Begaj kërkoi hetim, Sejko i përgjigjet letrës së Presidentit: Na rrezikohet reputacioni nga keqinformimi

01/08/2024 15:18

Një përplasje institucionale ka lindur mes Presidencës dhe Bankës së Shqipërisë dhe rolin që institucionet kompetente duhet të luanin për të ndalur fenomenin e mikrokredive.

Një letër e presidentit bajram Begaj drejtuar kuvendit ndalet gjatë tek roli i bankës së Shqipërisë, ku evidentohen edhe disa pikëpyetje mbi mbikëqyrjen që ky institucion duhej të ushtronte mbi kompanitë e mikrokredive, që blinin dhe portofole të kredive me probleme.

Në letrën e tij presidenti Begaj thotë se vendimet e Bankës së Shqipërisë kanë qenë në inkoherencë:

PRESIDENTI: Në mars të vitit 2016, Banka e Shqipërisë njohu gjendjen e faktit (shoqëritë e mikrokreditit kishin blerë kreditë me probleme të bankave, pa kërkuar lejen e BSH-së) dhe vendosi ta ligjërojë praktikën, duke modifikuar rregulloren. Por ky rregullim dëshmonte inkoherencë.

Subjektet e licencuara mund të hyjnë në marrëdhënie juridike civile (të lidhin marrëveshje sipas Kodit Civil) vetëm për gjëra që janë në funksion të objektit të licencuar të veprimtarisë, por jo të krijojnë një objekt të ri veprimtarie mbështetur në lirinë kontraktuale që njeh Kodi Civil.

Institucionet e mikrokredisë sipas analizës së Presidencës kishin dalë jashtë licensës së tyre, duke ushtruar dhënien e mikrokredive dhe blerjen e kredive me problem, por kjo zgjidhje sipas një kundërpërgjigje të BSH mbështetej nga partnerët ndërkombëtarë.

Për Bankën e Shqipërisë, rregullimi në 2016-tën lindi si nevojë e Planit Kombëtar për uljen e kredive me probleme në sistemin financiar

BSH: Rregullimi i bërë nga Banka e Shqipërisë në vitin 2016 nuk prekte aspektin licencues të subjekteve të pajisura tashmë me një licencë kredidhënieje, por bënte të mundur që aktiviteti i blerjeve vetëm të kredive me probleme të kornizohej brenda kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë (raportim, mbikëqyrje etj.).

Pra, Banka e Shqipërisë, në asnjë rast, as nuk ka lejuar dhe as nuk ka krijuar paligjshmëri, por vetëm ka përmirësuar më tej kuadrin rregullativ mbikëqyrës për blerjen e kredive me probleme. Nga ana tjetër, ky ishte një format i propozuar dhe mbështetur fuqimisht nga institucionet partnere ndërkombëtare për ta adresuar këtë fenomen, FMN dhe BB.

Një tjetër pikë e fortë përplasje mes dy insticuioneve është fakti se ankesat e qytetarëve kryesisht te Banka e Shqipërisë, por edhe te Ministria e Drejtësisë, nuk i ka nxitur më herët institucionet që të ndalojnë grabitjen e mbi 17 mijë qytetarëve shqiptarë

PRESIDENTI: Faktet e bëra publike tregojnë se ankesat e administruara në kontekstin e kredive me probleme nuk kanë nxitur verifikime dhe masa mbikëqyrëse nga ana e BSH-së.

Informacioni i dhënë tregon se ankesat me këtë temë janë trajtuar si ankesa “që kanë pasur si burim moskuptimin e duhur të legjislacionit në fuqi dhe mungesën e njohurive financiare…… Duket se Banka e Shqipërisë nuk ka dalluar te këto shqetësime, shenjat e një skeme kriminale në dëm të kredimarrësve”.

BSH: Banka e Shqipërisë ka vijuar të shqyrtojë dhe asistojë me seriozitet çdo ankesë në drejtim të subjekteve të mbikëqyrura prej saj. Ajo çka ka dominuar gjatë këtij procesi, është fakti se numri më i madh i ankimimeve të mbërritura në Bankën e Shqipërisë nga klientët e këtyre shoqërive lidhet me procesin e ekzekutimit të detyrueshëm. Ky fakt konfirmohet edhe sot, kur një grup pune i dedikuar brenda Bankës se Shqipërisë po trajton ankesat e kredimarrësve të institucioneve financiare, të cilave tashmë u është revokuar licenca.

Presidenca më tej vë theksin tek fakti se bashkëpunimi mes institucioneve nuk ka evidentuar një fakt të thjeshtë, që bazuar mbi nenn 527 të Kodit të Procedurve Civile nuk mund të vihet sekuestro e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme më shumë se masa e nevojshme për plotësimin e detyrimit të debitorit.

Presidenca i ka kërkuar Kuvendit ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për trajtimin e plotë të skandalit të mikrokredive dhe nëse institucionet e kryen siç duhet rolin e tyre mbikëqyrës. Në kundërpërgjigje BSH shprehet se është e gatshme për çdo sqarim, ndërsa ngre shqetësime mbi letrën e Presidentit duke e cilësuar “një keqinformim që rrezikon cenimin e reputacionit të institucionit që siguron stabilitetin financiar në vend.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA