Dy partitë kryesore politike shqiptare, Partia Socialiste në Pushtet dhe Partia Demokratike në opozitë, duket se ranë dakord në bisedimet e zhvilluara pas dyerve të mbyllura për të lejuar votimin në distancë të shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë Shqipërisë, por modalitetet e fitimit të të drejtës për të votuar në distancë janë të tilla që e bëjnë të vështirë ushtrimin real të votës nga emigrantët.
Dokumenti i dakordësuar mes palëve i rrjedhur në media, tregon se, ndryshe nga shtetasit rezidentë, të cilët në sistemin ligjor shqiptar prej të gjitha kohërave gëzojnë automatikisht të drejtën e votës për nga cilësia e të qenit shtetas, emigrantët, nëse do të duan të hedhin votë në distancë dhe jo duke u paraqitur personalisht në Shqipëri, do të duhet të bëjnë një regjistrim të veçantë në një regjistër të veçantë, ku regjistrimi do të jetë i vlefshëm vetëm për një palë zgjedhjeje.
“Zgjedhësi që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit,” thuhet në projektligjin e propozuar për të cilën palët kanë rënë dakord në nivel ekspertësh ndërsa diskutimet në nivel politik vazhdojnë.
“Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë hartohet dhe përdoret rishtazi për çdo palë zgjedhje,” shkruhet më tej.
Emigrantët që vendosin të ushtrojnë të drejtën e votës në këtë mënyrë, paguajnë në mënyrë indirekte çregjistrim automatik dhe humbje të së drejtës së votës si shtetas rezidentë. Projektligji duket se ka lënë pa përmendur nevojën për rikthimin e këtyre shtetasve te regjistri i votuesve rezidentë pas zgjedhjeve, nëse ata vendosin të rikthehen në atdhe ndonjëherë.
“Shtetasit shqiptarë që janë regjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, pas përfundimit të procedurës së regjistrimit sipas këtij neni, ç’regjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit,” shkruhet më tej në projektligj.
E drejta e emigrantëve për të votuar pavarësisht se nuk janë të pranishëm në atdhe ditën e votimit është debatuar gjerësisht gjatë dekadës së fundit ndërsa një vendim i Gjykatës Kushtetuese i ka kërkuar parlamentit të marrë masa për ta mundësuar këtë të drejtë. Procedurat e caktuara nga palët duket se i vendosin shqiptarët që jetojnë jashtë vendit në disavantazh duke i detyruar ata të regjistrohen me kërkesë për të fituar të drejtën e votës, ndryshe sistemi ligjor historik i vendit, në të cilin, e drejta e votës vjen automatikisht pa pasur nevojë për regjistrim paraprak.
Palët politike gjithsesi i kanë dhënë të drejtë vetes që të ndërhyjnë më tej në proces me kufizime të tjera të mundshme, gjatë shqyrtimit në të ashtuquajturin “institucion rregullator”.
“Lista e detajuar e dokumentacionit që kërkohet për regjistrimin e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë përcaktohet me vendim të Rregullatorit,” shkruhet në propozim.
“Rregullatori” është një institucion i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që përbëhet nga anëtarë të votuar nga Kuvendi i Shqipërisë sipas preferencave të palëve politike. Ky institucion është ai që do të ketë të drejtë të hartojë “listën e detajuar të dokumentacionit”. Kriteret e hartimit të listës në fjalë të dokumentacionit do të përcaktojnë me gjasa se sa e lehtë ose sa e vështirë do të jetë për popullsinë jorezidente që të votojë.
Diskriminimi i shtetasve jorezidentë përkundrejt atyre rezidentë, duke i kërkuar të parëve regjistrim me kërkesë për të marrë pjesë në zgjedhje ka gjasa që do të përbëjë një çështje për diskutim në vijim.
Aktualisht gati gjysma e popullsisë prej 4.6 milionë shtetas duket se jeton në emigrim. Emigrantët e kanë të drejtën e votës, por për ta ushtruar atë, deri më sot do të duhet të udhëtojnë drejt vendbanimit ku kanë regjistrin civil ditën e zgjedhjeve, gjë që shumica nuk e bëjnë.
Dhënia e të drejtës së votës në distancë, një praktikë e njohur në shumë vende të botës, është diskutuar si një opsion për të demokratizuar vendin, nën supozimin që emigrantët nuk janë nën presionin e partive politike, kryesisht partisë në pushtet, siç janë banorët rezidentë. Por shumë ngrenë pikëpyetje nëse një shtetas që jeton prej vitesh në emigrim është apo jo e arsyeshme që të votojë për të zgjedhur qeverinë e vendit ku nuk jeton, por që do të qeverisë shtetasit që jetojnë në këtë vend.
Në rast se vota e emigrantëve do të bëhet realitet sipas propozimit aktual, mbetet për t’u parë se sa do të jenë të interesuar emigrantët, apo sa të lehtë do t’ua bëjë procesin KQZ dhe Rregullatori për të votuar dhe se çfarë pasojash do të ketë në rezultatet zgjedhore dhe në qeverisjen e vendit. /reporter.al
Top Channel