Vendimi i Joe Biden për të mos rikandiduar, reagon Zonja e Parë

21/07/2024 21:07

Zonja e Parë Jill Biden ripostoi në Instagram, letrën e Presidentit Joe Biden duke njoftuar vendimin e tij për të mos kërkuar rizgjedhjen, së bashku me emoji-n e një zemre rozë.

Zonja e parë pritet të drejtojë delegacionin amerikan në Lojërat Olimpike të Parisit në fund të kësaj jave.

Deklarata e plotë e Joe Biden: 

Gjatë tre viteve e gjysmë, ne kemi bërë përparim të madh si komb. Sot, Amerika ka ekonominë më të fortë në botë. Ne kemi bërë investime historike në rindërtimin e kombit tonë, në uljen e kostove të barnave me recetë për të moshuarit dhe në zgjerimin e kujdesit shëndetësor të përballueshëm në një numër rekord amerikanësh.

Ne kemi ofruar kujdesin e nevojshëm kritik për një milion veteranë të ekspozuar ndaj substancave toksike. Kaluam ligjin e parë të sigurisë së armëve në 30 vjet. Emëruam gruan e parë afrikano-amerikane në Gjykatën e Lartë. Miratuam legjislacionin më të rëndësishëm të klimës në histori, e Amerika nuk ka qenë kurrë më e pozicionuar për të udhëhequr sesa sot.

Unë e di se asnjë nga këto nuk mund të ishte bërë pa ju, populli amerikan. Së bashku, ne tejkaluam një pandemi një herë në shekull dhe krizën më të keqe ekonomike që nga Depresioni i Madh. Ne kemi mbrojtur dhe ruajtur demokracinë tonë. Ne kemi rivitalizuar dhe forcuar aleancat tona në mbarë botën.

Ka qenë nderi më i madh i jetës sime të shërbej si Presidenti juaj. Dhe ndërsa ka qenë qëllimi im të kërkoja rizgjedhjen, besoj se është në interesin më të mirë të partisë sime dhe të vendit që unë të tërhiqem dhe të fokusohem vetëm në përmbushjen e detyrave të mia si President për pjesën e mbetur të mandatit tim.

Unë do t’i flas kombit gjatë javës për më shumë detaje mbi vendimin tim. Tani për tani, më lejoni të shpreh mirënjohjen time më të thellë për të gjithë ata që kanë punuar kaq shumë për të më parë të rizgjedhur.

Dua të falënderoj Zëvendëspresidenten Kamala Harris që ishte një partnere e jashtëzakonshme në gjithë këtë punë. Dhe më lejoni të shpreh vlerësimin tim të përzemërt për popullin amerikan për besimin që keni dhënë tek unë.

Unë besoj sot atë që kam thënë gjithmonë, se nuk ka asgjë që Amerika nuk mund të bëjë, kur ne e bëjmë atë së bashku. Thjesht duhet të kujtojmë se jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA