Në Durrës ka hapur dyert shtëpia-ekspozitë “Turistë të përgjuar” për të rrëfyer përmes ndërtimit, arredimit, dokumenteve dhe botimeve të kohës historinë e pas Luftës së Dytë Botërore, që përjetoi Shqipëria dhe turistët e huaj që u lejuan ta vizitojnë atë.
Dy pedagoge dhe eksperte të turizmit, Brunilda Liçaj dhe Arjana Isaku e kthyen banesën e vjetër të familjes Mima në një nga rrugicat e Durrësit në shtëpi-dëshmi të asaj kohe, deri në detaje.
Ekspozita sjell në vëmendje copëza të jetës dhe survejimit shqiptar gjatë regjimit totalitar komunist që përpiqej të mbante nën kontroll edhe turistët e huaj, duke nisur që nga paraqitja e tyre.
Turistët ishin kureshtarë. Donin të zbulonin dhe kuptonin më shumë nga vendi më i izoluar i globit, që gjithçka e realizonte me forcat e veta, por përballeshin me lëvizje dhe informacion të kontrolluar nga partia-shtet. Një nga elementet më domethënëse të kësaj ekspozite që rrëfen në çdo detaj të saj është dhe vendstrehimi nëntokësor, një dëshmi autentike e asaj kohe. Me rënien e sirenës së alarmit, ashtu si dikur, vizitorët nxitojnë të improvizojnë futjen në vendstrehim.
Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët e huaj dhe vendas, duke ofruar një dritare të çmuar informative për të njohur dhe reflektuar mbi këtë periudhë të errët të historisë shqiptare.
Top Channel