BE fshikulloi ashpër platformën e X apo ish Twitter të Elon Musk, me pretendimin se po mashtron përdoruesit me llogaritë e verifikuara dhe po shkel rregullat e përmbajtjes së bllokut europian.
Ky njoftim mund të pasohet nga gjoba të rënda për rrjetin e njohur social, i cili ka pësuar ndryshime të mëdha që kur kaloi në duart e miliarderit të njohur. Rregullatorët e BE-së nuk janë të kënaqur me sistemin e verifikimit të llogarive në X, nën pronësinë e Muskut, sepse sipas tyre, kushdo që ka abonim premium mund të verifikojë llogarinë.
Ndërkohë, më parë, llogaritë e verifikuara ishin të rezervuara për liderët, kompanitë dhe gazetarët, pas miratimit. Vërejtja zyrtare ndaj platformës X është e para që bëhet sipas Aktit të shërbimeve digjitale (DSA), një ligj që detyron kompanitë dixhitale të bëjnë më shumë për të kontrolluar përmbajtjen online. Ajo pason një hetim të imtësishëm të kryer nga rregullatorët dhjetorin e vitit të kaluar.
X bëhet në këtë mënyrë e tretë që përballet me vërejtje të BE-së për shkelje të rregullave të reja. Brukseli ka paralajmëruar më herët edhe kompanitë Apple dhe Meta që të ndryshojnë mënyrën se si funksionojnë, në të kundërt rrezikojnë të përballen me gjoba masive për shkelje të Aktit të tregjeve dixhitale.
Top Channel