Marrëveshja e Prespës në samitin e NATO-s, kryeministri grek: Do e ngremë si shqetësim në Uashington

09/07/2024 22:41

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, tha se “do të ngrejë shqetësimin për mosrespektimin e Marrëveshjes së Prespës nga Qeveria e re maqedonase”, gjatë samitit të NATO-s që po mbahet në Uashington.

Greqia dhe fqinji i saj arritën marrëveshje për emrin e shtetit, dhe Shkupi u pajtua që të ndryshojë emrin e shtetit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut dhe Athina hoqi dorë nga vetoja për anëtarësimin e fqinjit të saj në NATO.

Presidentja e re maqedonase, Gordana Silanovska-Davkova, gjatë inaugurimit të saj në maj, iu referua shtetit të saj si Maqedoni e jo Maqedoni e Veriut.

Duke marrë pjesë në samitin për 75-vjetorin e themelimit të NATO-s, Kyriakos tha se “kam shqetësime serioze” lidhur me përdorimin e emrit nga Qeveria e re maqedonase e udhëhequr nga VMRO DPMNE.

Kjo është një çështje që unë do ta ngre”, tha Mitsotakis në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, duke thënë se çështja e emrit “thjesht, nuk është një çështje e negociueshme”.

“Nuk është konstruktive. Nuk i ndihmon rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Është një ndërlikim i panevojshëm në një kohë kur ne do të duhej të gjenim zona për bashkëpunim”, shtoi Mitsotakis.

Paraprakisht, Mitsotakis kishte kërcënuar se Greqia mund të rrezikojë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Lideri grek, që më herët nuk ishte pajtuar me Marrëveshjen e Prespës, që ishte arritur nga Qeveria paraprake e krahut të majtë, tha se e ka bërë të qartë se kjo është marrëveshje ndërkombëtare “dhe unë respektoj”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA