Shpërthimi në hidrocentralin në Zvicër, objekti përfshihet nga flakët, humbin jetën dy persona
Telefonata mes kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe presidentit amerikan Donald Trump, e planifikuar për sot, më 9 shtator, është shtyrë nga pala gjermane.
Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, gjatë një konference për shtyp në Berlin.
Telefonata ishte planifikuar në kuadër të përvjetorit të 11 Shtatorit, por shtyrja vjen në një moment tensionesh të shtuara pas deklaratave të fundit të presidentit amerikan për politikën e brendshme gjermane.
Kornelius nuk pranoi të konfirmonte nëse vendimi për shtyrjen e telefonatës ishte i lidhur me komentet e Trump për rezultatin e zgjedhjeve në Saksoni-Anhalt, ku partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), shënoi një rezultat të fortë.
Zëdhënësi gjerman theksoi se shtyrja nuk lidhej me probleme në axhendën e kancelarit.
Në qendër të debatit qëndron një postim i Donald Trump në platformën e tij Truth Social, ku presidenti amerikan e përshëndeti rezultatin e AfD-së, duke e cilësuar atë si një “mbrëmje vërtet të rëndësishme”.
Trump argumentoi se rritja e mbështetjes për AfD-në lidhet, ndër të tjera, me pakënaqësinë e qytetarëve ndaj politikave të migracionit në Gjermani.
Në postimin e tij, presidenti amerikan përdori edhe shprehjen “MGGA” – një përshtatje gjermane e sloganit të tij të njohur “MAGA”, që do të thotë “Make America Great Again”. Në këtë rast, shprehja nënkupton “Make Germany Great Again”.
I pyetur nëse shtyrja e telefonatës kishte lidhje me deklaratat e Trump, Kornelius u tregua i rezervuar.
“Nuk kam asgjë për të shtuar në deklaratat e kancelarit dhe referencën e Merz për rendin e ditës”, deklaroi ai.
Zëdhënësi theksoi se qeveria gjermane, në përgjithësi, nuk komenton deklaratat e krerëve të shteteve dhe qeverive të huaja. Megjithatë, ai përsëriti qëndrimin e kancelarit Merz se duhet treguar kujdes i veçantë ndaj ndërhyrjeve apo komenteve të jashtme mbi situatën e brendshme politike në Gjermani.
Sipas Merz, një ndërhyrje e tillë nuk është e përshtatshme dhe i njëjti parim duhet të vlejë edhe në drejtim të kundërt.
Pavarësisht shtyrjes së telefonatës, kancelari Merz përcolli një mesazh të fortë solidariteti me Shtetet e Bashkuara në prag të përvjetorit të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit.
“Njëzet e pesë vjet më parë, Shtetet e Bashkuara mund të mbështeteshin në solidaritetin e plotë të Gjermanisë dhe Evropës. Edhe sot, Gjermania është e gatshme, së bashku me Shtetet e Bashkuara, të mbrojë vlerat që na përcaktojnë dhe na bashkojnë”, tha Merz përmes zëdhënësit të tij.
Kancelari gjerman kujtoi se sulmet terroriste në Nju Jork, Uashington dhe Pensilvani u përjetuan edhe në Gjermani si një sulm ndaj vlerave të përbashkëta, lirisë dhe demokracisë.
Merz theksoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit transatlantik dhe mbrojtjes së “lirisë, demokracisë dhe respektit” së bashku me Shtetet e Bashkuara.
Top Channel