Lamtumirë Ismail Kadare! Përcillet me nderime kolosi i letërsisë shqipe, në homazhet e mbajtura në TKOB interpretohen poezitë e tij

03/07/2024 09:43

I jepet sot lamtumira e fundit shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cilësuar si kolosi i letërsisë shqipe që futi Shqipërinë në hartën botërore letrare.

Homazhet po mbahen në Teatrin të Operas dhe Baletit, ku marrin pjesë familjare, miq, figura dhe personalitete të larta e dashamirës. Gjatë ceremonisë, në sfond interpretohen poezitë e tij ikonike që do të jenë të pavdekshme.

Kortezhi pritet të niset drejt varrezave të Tufinës në orën 12:30, ndërsa në orën 13:00 do të mbahen një minutë heshtje për nder të Kadaresë.

Shqipëria dhe Kosova janë në zi kombëtare në nder të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili mbylli sytë përgjithmonë sot në moshën 88-vjeçare. Edhe ditën e sotme flamujt në institucionet shtetërore dhe publike janë ulur në gjysmështizë.

Kolosi i letrave në gjuhën shqipe, Ismail Kadare ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Ai lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.

Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princ i Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit, ai e ndante kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

 

FOTO GALERI
3/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA