“Gërdeci”/ Familja Durda kërkon të caktohet masë sigurie ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu: Të përshpejtohet gjyqi

27/06/2024 11:50
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu

Familja Durda, e prekur nga shpërthimi tragjik i Gërdecit, përmes një kërkese të depozituar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, kërkon përshpejtimin e gjyqit dhe caktimin e një mase sigurie ndaj ish-ministrit, Fatmir Mediu.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, ka siguruar dokumentin me objekt “kërkesë për marrjen e masave për të siguruar gjykimin e shpejtë dhe mundësisht të pandërprerë” që mban firmën Zamira Durdajt, Feruzan Durdajt dhe avokatit Dorian Matija.

Duke vënë në dukje se për 16 muaj u zhvilluan 35 seanca gjyqësore, kërkohet që gjykimi ndaj Mediut, të zhvillohet shpejt për interesa të drejtësisë, të familjarëve të viktima dhe të plagosurve të tragjedisë së Gërdecit, si dhe të vetë të pandehurit. Madje, sugjerohet që gjyqtarja e çështjes, Irena Gjoka, të mos ngarkohet me çështje të tjera deri në përfundimin e procesit.

Ndërkohë, si argument për caktim mase ndaj ish-ministrit, thuhet se “ka rrezik që ai të cenojë provat”. Sipas raportimeve në media, rezulton se Mediu ka vizituar SHBA-në, ndërkohë që me anë të letër porosisë, është kërkuar marrja në pyetje e dëshmitarëve me shtetësi amerikane, thuhet më tej, duke kërkuar që “të paktën të konsiderohet zbatimi i masës së ndalimit të daljes jashtë shtetit, pa lejen e posaçme të gjykatë”.

Që nga drejtësia, kanë kaluar 16 vite, ky faktor shton domosdoshmërinë që të merren masa konkrete që drejtësia të mos jetë më shumë e vonuar se kaq, për të mos u shndërruar në drejtësi iluzive dhe efektivisht të vonuar”, mbyllet kërkesa.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuzohet për shpërdorim detyre në vendimet që çuan në tragjedinë e Gërdecit të 15 marsit 2008.

Top Channel