“Grindje të vazhdueshme për shkak të qëndrimeve politike”/ Meta kërkon divorcin nga Kryemadhi, caktohet gjyqtarja e çështjes

26/06/2024 15:05

Fahrije Budo (Stringa) është gjyqtarja që do të shqyrtojë padinë e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për zgjidhjen e martesës nga bashkëshortja, Monika Kryemadhi.

Këtë të mërkurë, u hodh shorti elektronik, gjashtë ditë pas regjistrimit të kërkesë padisë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, që ka si paditës shtetasin Ilir Meta dhe të paditur shtetasen Monika Kryemadhi.

Gazetarja Anila Hoxha raporton se gjyqtarja Budo ka kaluar procesin e vetting-ut dhe është konfirmuar në këtë detyrë.

Në deklaratat e dhëna për mediat, Meta ka shpjeguar se kanë qenë grindjet e vazhdueshme për shkak të qëndrimeve politike, që e shtynë drejt këtij vendimi. Sipas kreut të PL-së, marrëdhënia e tyre u kris pas vendimit të Kryemadhit për të djegur mandatet e marra në zgjedhjet e 2017.

“Ka qenë vendimi më i vështirë në jetën time, është i motivuar nga ndarje të papajtueshme që lidhen me kauza të mëdha që janë etike për vendin. Marrëdhëniet tona kanë pësuar një krisje të forte që nga vendimi i saj si kryetare e LSI për djegien e 19 mandateve. Qëndrimet e saj krejtësisht në krah të kundërt të kauzave që unë mbroj dhe që krijojnë konfuzion duhet të merrnin fund. Mirëkuptoj çdo reagim emocional të gjithkujt. Detyrimet e mia lidhen me kontributin e qindra mijëra njerëzve që kanë besuar te unë. Ky vendim i imi nuk lidhet me raportet me të si grua apo nënë e tre fëmijëve tanë. Nuk po ndahem me një grua për një grua tjetër. U kërkoj shumë ndjesë tre fëmijëve të mi për shqetësimet që u kam krijuar”.

Top Channel