Fiks Fare/ Invalidit pa këmbë i përgjysmojnë kempin pas 30 vitesh, nga një vizitë mjekësore në WhatsApp

26/06/2024 20:49

Task Forca i heq paketën higjeno sanitare invalidit prej 30 vjetësh vetëm me një vizitë mjekësore me WhatsApp, i vetmuar, i braktisur, i shërben vetes , kujdestarja ligjore i shkon një herë në disa ditë dhe i çon vetëm disa ushqime.

Ded Stojani nga Laçi prej 30 vitesh është invalid. 3 vitet e fundit sëmundja i ka marrë të dyja këmbët dhe ai nuk mund të ecë. Deda jeton i vetëm nuk ka asnjë ndihmë, lan, gatuan dhe i shërben vetë vetes. Për të lëvizur ka një motor elektrik.

Deda ju drejtua Fiksit pasi atij i kanë prerë paketën higjeno- sanitare. Nga 43 mijë lekë në muaj ja kanë përgjysmuar. Deda tregon për Fiksin që në dhjetor të vitit të kaluar e kanë telefonuar për të bërë vlerësimin e gjendjes së tij shëndetësore. Pasi e kanë marrë në kamera e kanë parë që Deda nuk ka këmbë dhe  fill pas përfundimit të kontrollit Dedës iu hoq pagesa e paketës higjeno-sanitare. Kjo pasi Task Forca e ngritur për gjithë vendin ka vendosur t’ia heq këtë paketë vetëm nga vlerësimi që kanë bërë me anë të telefonit.

Fiksi pa nga afër një ditë të zakonshme të jetës së Dedës.  Që në momentin që duhet të hyjë në shtëpi duhet të këtë afër ndonjë nga komshinjtë ta ndihmojë në hapjen e mbylljen e derës. Më pas nga motorri elektrik kalonte në një karrocë po vetë që lëvizte nëpër shtëpi dhe që kryente nevojat e tij, si të gatuante , lahej , të lante rrobat e deri tek kalimi nga karrova në krevat.

Deda tregon se ai ka një kujdestare që ia ka vënë në dispozicion shteti , por që ajo shkonte një herë në ditë i çonte  ndonjë ushqim.

Fiksi vuri re në shtëpinë e Dedës një erë të keqe  që do të thotë se aty kishte disa kohë që nuk pastrohej, pra kujdestarja nuk e vizitonte nga brenda atë shtëpi.

Pasi pa kushtet në të cilat Deda jetonte gazetarët e Fiksit iu drejtuan Bashkisë Kurbin për të marrë vesh se cila është arsyeja e përgjysmimit të kempit të tij.

Drejtori  i Ndihmës Ekonomike dhe Kujdesit Social pranë Bashkisë Kurbin , z. Llesh Ndoci tha për Fiksin se vendimi për përgjysmimin e kempit për Dedën është marrë nga Task Forca, grup i ngritur nga Ministria e Shëndetësisë.  Me marrjen e vendimit nga Task Forca është ankimuar vendimi  si për Dedën ashtu edhe për 5 persona të tjerë në Kempin Epror. ” Ankimimi është bërë në 26 prill dhe ka afat për kthim përgjigje deri 3 muaj, më pas do shohim si do të procedojmë pasi kjo kategori e ka të domosdoshme paketën higjeno-sanitare” pohon drejtori Ndoci.

Ndërkohë i pyetur edhe për kujdestaren ligjore të dedës e cila nuk bën asgjë tjetër veçse i çon disa ushqime, drejtori Ndoci sqaroi ” Ajo është një marrëveshje personale dhe  noteriale që bëhet midis invalidit dhe personit që ka zgjedhur për kujdestar. Unë di që kujdestarja merr një pagesë nga shteti prej 13 mijë lekësh në muaj dhe nuk ka asnjë ankesë nga Deda për ta zëvendësuar atë”. Pyetjes së gazetares se sa  orë në ditë një kujdestare duhet të kujdeset për një invalid drejtori shpjegon se disa orë në ditë, gjë që nuk ndodh në rastin e Dedës. Pasi edhe vetë Deda është i dyzuar në lidhje me kujdestaren duke u shprehur se ajo vjen sa herë e thërras unë.

Drejtori Ndoci shpjegoi se Deda ka ndryshuar disa kujdestare dhe si në çdo rast kërkesa për zëvendësimin e saj bëhet nga invalidi dhe jo nga shërbimi social. ” Ne do bëjmë verifikimet tona në shtëpinë e Dedës, por pa një kërkesë apo ankesë të tij nuk mund të bëhet ndryshimi i kujdestares” përfundon për Fiksin z. Ndoci.

Ndërkohë gazetarët e Fiksit u munduan të flasin edhe me kujdestaren ligjore , por që ajo u shpreh se Deda nuk ka ankesë as me gojë e as më shkrim kundrejt saj, por ka ankesë për uljen e kempit.

 

 

FOTO GALERI
6/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA