Përmbytje në Prishtinë! Vërshime të ujërave, dëme të mëdha në banesa dhe biznese

24/06/2024 15:23

Reshjet e shiut me intensitet të lartë, të dielën në Prishtinë shkaktuan vërshime.

Rrugët u bllokuan e uji depërtoi në ndërtesat e banuara dhe bizneset. Dëmi i shkaktuar nga uji që ka depërtuar në brendësi është i madh edhe në një laborator privat në kryeqytet.

Kjo është hera e dytë që reshjet e shiut që rrisin nivelin e ujit në rrugë, depërtojnë brenda këtij laboratori.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka mbledhur të hënën institucionet e sigurisë, për të diskutuar rreth situatës.

Ai tha se sasia e reshjeve ishte tejet e lartë, megjithatë, problemi kryesor që çon deri te vërshimet, është rrjeti i kanalizimit.

Gjatë së dielës, ekipet emergjente kanë reaguar në mbi 100 raste.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik, sasia e reshjeve atmosferike arriti në 65 milimetra, sasi kjo ekuivalente me reshjet e një muaji në Kosovë.

Reshje të intensitetit të tillë pritet të ketë përgjatë gjithë javës.

 

Top Channel