Jemi në mes të bregdetit të Shëngjinit së bashku me Mario Gjinin, një i ri i cili e ka kaluar gjysmën e jetës në det jo me këtë anije por me paijsje të tjera detare.
Deda: Mario na trego pak për këtë pasionin tënd për detin si ka nisur.
Mario Gjini: Unë kam lind me këtë pasion dhe për mua nuk është gjysma e jetës por më shumë, që në moshën 6 vjeçare kam dalë në det dhe qëkur isha 6 vjeç unë kam shpëtuar një njeri dhe prej asaj kohe ka filluar pasionin im për detin dhe jam dashuru me detin nuk mund të rri pa detin.
Shtëpia e dytë e Marios është pikërisht kjo varkë të cilën e ka ndërtuar vetë, e ku kalon pjesën më të madhe të kohës me familjen apo shoqëri.
Mario: Kjo është varka që e kam ndërtuar me duart e mia, struktura ka qenë varkë por ka qen peshkarexhë dhe unë e kam kthyer model Cozo me dhomë poshtë dhe e kam ndërtuar për familjen time që të dal. Varkës ia kam besën sepse e kam ndërtuar me duart e mia dhe e di kapacitetin e saj. Me ndjek bregdetin deri në jug nuk është e rrezikshme.
Çdo ditë e Marios nis dhe përfundon në det, jo vetëm duke lundruar por edhe duke peshkuar.
Mario: Një ditë normale me mua është të dal në mëngjes, të zhytem të peshkoj dhe pastaj të gjesh një vend për t’u ulur për ta pjek kshu shkoj gjithë dita në det, qejfi im është në det. Jam një tip që i jap vëmendje detit, e kuptoj kam qejf ta mësoj e di kur është i rrezikshëm kur nuk është i rrezikshëm. Deti nuk mësohet kurrë por kam dëshirë t’i kushtoj vëmendje.
Dashuria e Marios për detin shtohet çdo ditë e më shume, edhe pse disa vite më parë jeta e tij është rrezikuar seriozisht ai detin sërish e konsideron shokun e tij më të ngushtë.
“M’ka thënë deti, m’ka llup atje poshtë dhe m’ka thënë shih kush jam unë mëso nga unë”, tha Mario.
Top Channel