Avionët dhe artileria izraelite goditën të premten objektivat në pjesën jugore të Libanit, pasi dhjetëra raketa u lëshuan drejt veriut të Izraelit, njoftoi ushtria.
Përshkallëzimi i sulmeve ndërkufitare vazhdoi për të tretën ditë.
Sirenat paralajmëruese u dëgjuan në zonat kufitare në veri të Izraelit në orët e vona të mëngjesit, pasi rreth 35 raketa u hodhën nga pjesa jugore e Libanit në zonën përreth qytetit kufitar Kirjat Shmona.
Pamjet televizive treguan ndërtesa dhe makina të dëmtuara, si dhe zjarre në disa lokacione të shkaktuara nga goditjet.
Shërbimet e urgjencës thanë se ekipet ishin aktive në disa zona por nuk kishte raportime për viktima.
Në përgjigje, ushtria izraelite tha se artileria e saj sulmoi vendet e lëshimit të operuara nga milicia e Hezbollahut – të mbështetur nga Irani, në pjesën jugore të Libanit dhe avionët izraelitë goditën gjithashtu infrastrukturën e Hezbollahut në zonat e Odaisseh dhe Kfarkela.
Ushtria izraelite ka shkëmbyer zjarr me forcat e Hezbollahut përtej kufirit në jug të Libanit që nga tetori kur filloi lufta në Gazë.
Sulmet izraelite kanë vrarë më shumë se 300 luftëtarë të Hezbollahut në Liban – më shumë se në vitin 2006 kur palët ishin në një luftë të madhe, sipas një raporti të Reuters.
Rreth 80 civilë janë vrarë gjithashtu, thuhet në raport. Gjithashtu janë vrarë 18 ushtarë izraelitë dhe 10 civilë, sipas Izraelit.
Asnjëra palë nuk duket se dëshironte një konflikt më të gjerë por ka pasur shqetësime në rritje se intensifikimi i vazhdueshëm i sulmeve mund ta nxjerrë situatën jashtë kontrollit, me rrezikun e një konflikti më të gjerë në një rajon që ka parë tashmë shkëmbime të drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Iranit.
Sulmi i fundit erdhi pasi një sulm izraelit vrau një komandant të lartë të milicisë së Hezbollahut të mbështetur nga Irani, në jug të Libanit të martën.
Dhjetëra mijëra banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në të dy anët e kufirit.
Të premten, ushtria izraelite tha se avionët luftarakë dhe sistemet kundërajrore kishin kapur 11 nga 16 dronët e lëshuar nga Hezbollahu kundër Izraelit në 72 orët e fundit.
“Forcat Ajrore izraelite po vazhdojnë të operojnë në çdo kohë për të penguar aktivitetet terroriste dhe për të mbrojtur qiellin e Izraelit nga çdo kërcënim”, thuhet në një deklaratë./REL
Top Channel