Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës që shënon 25-vjetorin e çlirimit të vendit, presidentja Vjosa Osmani, kujtoi ndërhyrjen e forcave të KFOR-it dhe NATO-s, të cilat sollën premtimin e lirisë dhe sigurinë se bota nuk e kishte harruar Kosovën. Ajo gjithashtu kujtoi dhe të gjithë dëshmorët e luftës dhe bëri thirrje për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Në qershor të vitit ’99 muret e tiranisë u shembën, duke hapur rrugën jo vetëm për një Kosovë të lirë por edhe të pavarur e demokratike. Atë ditë afro 38 mijë ushtarë nga 36 vende komunikuan me gjuhën universale të lirisë.
Ata sollën me vete premtimin e lirisë, sigurinë se bota nuk kishte harruar për popullin e Kosovës dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit tonë. Hyrja e NATO-s në Kosovë ishte dëshmi e fuqisë së solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit të palëkundur në të drejtën universale të një populli për të qenë i lirë”, u shpreh Osmani.
Më pas ajo shtoi: “Kur paqeruajtësit e KFOR-it shkelën në tokën e Kosovës të përgjakur, të dërrmuar e të shkatërruar, atëherë lotët, britmat e lulet u shndërruan në përqafime që i pritën ushtarët e NATO-s. Ato krijuan simfoninë e emocioneve të lirisë. Kolonat e makinerisë ushtarake, zhurma e helikopterëve të NATO-s, uniformat me flamuj të shumtë që simbolizonin lirinë e jo urrejtjen e dhunën, të gjitha këto u shndërruan në simbol të shpëtimit të popullit të Kosovës nga shfarosja që synonte regjimi gjenocidal i Serbisë.”
Për ta mbyllur, Osmani përmendi dhe heroizmin e Adem Jasharit dhe dëshmorëve të UCK-së, duke thënë: “Do ta kujtojmë çdo ditë të jetës sonë, por edhe për brezat që vijnë pas nesh, heroizmin e papërsëritshëm të komandantit Adem Jashari dhe gjithë familjes Jashari, të cilat u shndërruan në gurthemelin e lirisë që gëzojmë sot. Do të jetojmë përherë me kujtimin e të gjithë dëshmorëve të UÇK-së, mbi 13 mijë të vrarët gjatë luftës, në mesin e të cilëve 1133 fëmijë. Nuk do të harrojmë kurrë dhimbjen e shkaktuar nëpërmjet një prej krimeve më të llahtarshme që njeh cilado luftë, krimit të dhunimit si dhe dhimbjen që ende vazhdon për mijëra familje në Kosovë që akoma nuk kanë ku të vendosin lule sepse varret janë të zbrazëta, në kërkim të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”.
Top Channel