Analiza e CNN/ Çfarë mesazhi dhanë zgjedhjet për Parlamentin Europian? Rënia e Macron e Scholz dhe fitorja e Melonit treguan se…

10/06/2024 17:16

Teksa rezultatet e sakta të zgjedhjeve madhore evropiane po njoftohen, disa narrativa të qarta po mësohen nga vota disa ditore.

Partitë e të djathtës radikale janë paraqitur fuqishëm në Evropë, edhe pse nxitja e tyre nuk ishte aq e fortë sa të largonte grupet e qendrës, siç kishin parashikuar shumë në Evropë, shkruan rrjeti CNN.

Humbjet më të mëdha i pësuan grupet e gjelbra dhe liberale, ndërsa në disa vende si për shembull Franca, zgjedhjet sollën përmbysje të pushtetit duke shkaktuar zgjedhje të parakohshme.

Avancimi të djathtës

Edhe para zgjedhjeve, në të gjithë kontinentin ishin pritur avancimet e partive të djathta dhe kjo ndodhi duke i dhënë një goditje serioze liderëve të establishmentit aktual të qendrës së majtë.

E djathta radikale pritet të fitojë një total prej 150 nga 720 vendet e parlamentit, sipas parashikimeve të ‘exit poll’, duke penguar përpjekjet e partive kryesore për kalimin e ligjeve me maxhorancë.

Shumë nga fitoret e të djathtës ishin në vendet me më shumë karrige në parlament si Franca, Italia e Gjermania.

Por këto parti ende duhet të ndërtojnë konsensusin mes tyre nëse duan të maksimizojnë forcën e tyre politike, shkruan rrjeti CNN.

Grupi centrist Partia Popullore Evropiane (EPP) mbetet sërish fituesi më i madh i të dielës, teksa kryetarja e KE, Ursula von der Leyen tha dje vonë se grupi ‘ka shumicën e vendeve dhe do të mbetet spiranca e stabilitetit’ në sallë.

Ajo gjithashtu bëri thirrje ndaj aleatëve për të qëndruar vigjilent ndaj “partive ekstremiste”.

“Qendra e ruajti terrenin, por ekstremi i të djathtës e të majtës kanë shtuar mbështetjen prandaj kjo shton përgjegjësinë për partitë e qendrës”, tha ajo në audiencën në Bruksel.

Von der Leyen duket se përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me të djathtën radikale , duke u thënë gazetarëve se do të kontaktonte për aleanca me grupin ‘Aleanca Progresive Socialist&Demokrate’ (S&D) dhe grupin centrist liberal ‘Renew Europe’.

Gjithsesi zgjedhjet shkaktuan trazira në politikat e disa vendeve evropiane, teksa fitoret e grupeve më parë të vogla i kanë bërë ato më të dukshme për liderët në pushtet.

Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi dje zgjedhje të parakohshme, pas humbjeve në PE ndaj partisë së djathtë të Marine Le Pen, ‘Fronti Kombëtar’.

“Kam vendosur t’ju jap të drejtën e të ardhmes parlamentare me votë, prandaj po shpërndaj parlamentin sonte”, tha Macron duke njoftuar zgjedhje më 30 qershor e 7 korrik.

E djathta radikale mori një në çdo tre vota franceze, shkruan CNN, teksa partia e Marine Le Pen dhe e mbesës së saj Marion Maréchal fitoi 36.83% të votave, më shumë se të treja partitë e tjera franceze së bashku, shkruan CNN.

Në fjalimin e fitores para njoftimit të Macron, lideri djathtë Jordan Bardella tha se “disfata e paprecedetën e qeverisë aktuale shënon fundin e një cikli dhe ditë e parë të epokës post-Macron.”

Kryeministri belg Alexander De Croo dha dorëheqjen pas disfatës së partisë së tij, teksa dukej pranë lotëve mbrëmë në Bruksel.

“Unë isha figura kryesore e kësaj fushate dhe ky nuk është rezultati që prisnim, prandaj marr përgjegjësinë për këtë. Nuk paska qenë e thënë”, tha De Croo për gazetarët duke u terhequr.

Meloni e Tusk rezultojnë fitues

Pak liderë në BE shijuan fitoren e djeshme, por Giorgia Meloni në Itali u rrit sërish si një faktor i rëndësishëm në politikën evropiane.

Partia e saj ‘Fratelli d’Italia’ është nga më të djathtat qe vjen ne pushtet, që prej asaj të liderit fashist Benito Mussolini, shkruan rrjeti CNN.

Por Meloni është kthyer në një figurë të dobishme në Evropë dhe është bërë aleate me von der Leyen, mbështet Ukrainën dhe nxit ashpërsimin e politikave për emigracionin.

Ndërsa përpjekjet e Donald Tusk për ta kthyer Poloninë në një forcë në Bruksel, morën shpërblim pas mohimit të fitores ndaj populistëve vendas Ligj e Drejtësi.

Tusk e ka bërë riintegrimin e vendit me Evropën një prioritet të fushatës së tij teksa rëndësia e politikës polake për bllokun është rritur që prej konfliktit të rëndë në Ukrainën fqinje.

Liderët e Brukselit u lehtësuan gjithashtu prej paraqitjes së dobët të partisë së kryeministrit hungarez Viktor Orbán, teksa grupimi i tij Fidesz mori rezultatet më të dobëta evropiane deri tani, duke i lënë terren kundërshtarëve të qendrës së djathtë, shkruan CNN.

Grupime të majta dhe të gjelbrit pësuan gjithashtu humbje të konsiderueshme.

“Humbjet në Gjermani e Francë ishin sigurisht një goditje”, tha Bas Eickhout, zv. kryetar i Të Gjelbërve Evropiane, pas ardhjes së rezultateve.

Objektivat e tyre të ambjentit e klimës kanë hasur në opozicion të ashpër në zonat rurale të kontinentit, teksa në protestat e tyre, sindikatat fermere thanë se i konsiderojnë si “kërcënim për punën dhe mbijetesën e tyre”, shkruan rrjeti amerikan CNN.

FOTO GALERI
3/4
Grupime të majta dhe të gjelbrit pësuan gjithashtu humbje të konsiderueshme. prej politikave te ambjentit dhe protestave fermere

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA