Mbyllet gazeta e njohur ruse pas 30 vitesh, kryeredaktori akuzon shërbimet sekrete: Do të mbyllim serverët dhe do të largohemi
Banorët e qytetit Oleshky, në Ukrainën jugore, kanë nisur të largohen nga zona e pushtuar nga forcat ruse, pas hapjes së një korridori të posaçëm evakuimi. Operacioni është konfirmuar nga autoritetet ruse dhe ukrainase, ndërsa armëpushimi i përkohshëm në rajonin e Khersonit ka mundësuar pastrimin nga minat të rrugës së daljes nga qyteti.
Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga Melania Trump, bashkëshortja e presidentit amerikan Donald Trump, ka hyrë në fuqi të martën dhe do të zgjasë deri në fund të së dielës, më 1 nëntor. Banorët që dëshironin të largoheshin kishin në dispozicion një afat prej katër orësh. Për këtë qëllim u vunë në dispozicion 25 autobusë, me kapacitet për të transportuar deri në 750 persona, si dhe ambulanca për qytetarët me vështirësi në lëvizje.
Megjithatë, disa qindra banorë kanë vendosur të qëndrojnë në qytet, pavarësisht shkatërrimeve të mëdha dhe mungesës së gazit, energjisë elektrike dhe ujit të rrjedhshëm.
“Çdo person që dëshiron të largohet nga Oleshky do ta ketë këtë mundësi në mënyrë të sigurt”, deklaroi Dmytro Lubinets, Avokati i Popullit për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë.
Ai shtoi se edhe ata që vendosin të qëndrojnë do të kenë mundësi të marrin ndihmën e nevojshme humanitare. Pavarësisht se territori i kontrolluar nga Ukraina ndodhet vetëm rreth pesë kilometra larg Oleshky-t, banorët e evakuuar duhet të kalojnë fillimisht nëpër territore të pushtuara nga Rusia.
Plani parashikon që ata të transportohen drejt qytetit rus të Anapa-s. Më pas do të udhëtojnë me një avion të qeverisë ruse drejt Gomelit në Bjellorusi dhe prej andej do të kalojnë kufirin për të hyrë në rajonin ukrainas të Chernihiv-it. Disa banorë të tjerë pritet të zgjedhin të qëndrojnë në territoret e kontrolluara nga Rusia.
Për organizimin e operacionit, përfaqësuesi ukrainas Dmytro Lubinets dhe homologja e tij ruse, Yana Lantratova, udhëtuan së bashku drejt Oleshky-t të premten, duke u nisur nga Armiansk, në gadishullin e Krimesë, të pushtuar nga Rusia.
Sipas BBC-së, Lubinets është zyrtari i parë ukrainas që viziton pjesët e pushtuara të Ukrainës që prej fillimit të luftës. Ai pritet gjithashtu të jetë zyrtari i parë ukrainas që do të vizitojë Rusinë, kur të shoqërojë të evakuuarit drejt kthimit në Ukrainë.
Bashkëpunimi me palën ruse ka shkaktuar reagime në Ukrainë, pasi disa qytetarë kanë shprehur pakënaqësi për faktin që përfaqësuesi ukrainas u shfaq krah një zyrtareje të autoriteteve pushtuese. Lubinets ka argumentuar se bashkëpunimi është bërë në funksion të shpëtimit të jetëve njerëzore.
Në videot e publikuara në rrjetet sociale, të dy zyrtarët kanë treguar se banorëve u është dhënë mundësia të zgjedhin nëse dëshirojnë të largohen drejt territoreve të kontrolluara nga Rusia apo të kthehen në Ukrainë.
Në një prej pamjeve, Lubinets shihet duke takuar banorë të përlotur. Ai shprehet se shumë njerëz kanë vendosur të qëndrojnë, duke shtuar se autoritetet do të bëjnë gjithçka për të garantuar mbërritjen e ndihmave humanitare.
Rusia deklaroi se ka përgatitur dhjetëra tonë ndihma për personat që nuk dëshirojnë të largohen, përfshirë ushqime, ilaçe, produkte higjienike dhe karburant për gjeneratorët.
Një banore e Oleshky-t i tha BBC-së se kishte vendosur të mos largohej, pasi nuk i lejohej të merrte me vete kafshët e saj. Ndërkohë, Olena, e cila jeton aktualisht në Kiev, tregoi se gjyshja dhe pjesa tjetër e familjes së saj kanë vendosur të qëndrojnë në qytet.
“Brezi i moshuar nuk dëshiron të largohet”, tha ajo për BBC-në, duke shtuar se mezi kishte arritur të bindte të atin të largohej, vetëm sepse ajo sapo ishte bërë nënë dhe ai përndryshe nuk do ta njihte kurrë nipin apo mbesën e tij.
Olena rrëfeu gjithashtu një histori tragjike për tezen e gjyshes së saj, e cila humbi jetën dimrin e kaluar në Oleshky. Gruaja kishte humbur të dyja këmbët pasi shkeli mbi një minë të mbuluar nga bora. Për shkak të mungesës së mjeteve të transportit, banorët e kishin dërguar në spital me një karrocë kopshti.
“Banorët i transportojnë të gjithë të plagosurit dhe të vdekurit në spital dhe në morg me karroca kopshti”, rrëfeu Olena.
Armëpushimi në rajonin e Khersonit pritet të përfundojë në fund të së dielës, më 1 nëntor. Ai ka krijuar disa ditë qetësie, të parat në këtë rajon që prej nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Banorët e qytetit Kherson i kanë thënë BBC-së se janë të lehtësuar nga ndërprerja e përkohshme e luftimeve. Megjithatë, ekziston frika se Rusia mund ta shfrytëzojë këtë periudhë për të shtuar praninë ushtarake në brigjet e lumit Dnipro dhe për të ndërmarrë një ofensivë të re pas përfundimit të armëpushimit.
Nga ana tjetër, Kremlini ka bërë të qartë se marrëveshja për Oleshky-n nuk duhet interpretuar si gatishmëri për të zgjeruar armëpushimin në pjesën tjetër të Ukrainës. Një numër i kufizuar gazetarësh të huaj janë ftuar të ndjekin nga afër evakuimin, ndërsa Moska pritet ta paraqesë operacionin si një mision humanitar për mbrojtjen e banorëve.
Megjithatë, shumë ukrainas dyshojnë se qëllimi i vërtetë i Rusisë është të përmirësojë imazhin e saj përpara Shtëpisë së Bardhë dhe t’i japë presidentit amerikan Donald Trump një avantazh politik përpara zgjedhjeve afatmesme në SHBA.
Për banorët e Oleshky-t, ndërkohë, evakuimi përfaqëson një mundësi për t’u larguar nga një qytet i shkatërruar nga lufta, ku mungesa e kushteve elementare të jetesës dhe rreziku nga minat kanë qenë pjesë e përditshmërisë.
Top Channel