Tensionet në Kuvend/ “Duhen shkatërruar përfundimisht me votë”, Rama për opozitën: Shpirti i së keqes po del me të çjerra nga jeta e këtij vendi

06/06/2024 21:30

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X pas tensioneve të krijuara në Kuvend nga opozita.

Postimi i Ramës:

Cilët ishin autorët e rikthimit kaq të shpejtë në identitet të opozitës sot në parlament?

Një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare;
Një ish-zv.kryeministër i arratisur për t’i ikur drejtësisë;
Një ish-kryeministër në arrest shtëpie me vendim të drejtësisë;
Një ish-prokuror i përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për mosjustifikim pasurie;
Një program në RAI3 që i shfaqi të lartpërmendurit si heronj pozitivë të një bashkëprodhimi italo-shqiptar, me baltë të eksportuar në Itali nga kanalet e ujrave të zeza politike e mediatike të Tiranës.

Vesi del me shpirtin, por shpirtit të së keqes që po del me të çjerra nga jeta e këtij vendi pasi e persekutoi këtë vend qysh prej vitit 1912, kjo lojë balte e rradhës me emrin e Shqipërisë i duhet futur në llogaritë që do të bëhen në zgjedhjet e afërta.

Mos i falni më, duhen shkatërruar përfundimisht me votë! Shqipëria ka kry punë me ta dhe nuk ndalet dot më nga askush.

Ndërsa këtë të enjte në sallën e Kuvendit të Shqipërisë zhvillohej seanca plenare, jashtë saj mbështetës të opozitës protestonin duke u përplasur fizikisht me efektivët e policisë të vendosur para godinës.

Deputetët e opozitës kanë mbajtur fjalime me tone të ashpra ndërsa kërkesa për mocion me debat për emisionin Report në RAI3, u rrëzua.

Flamur Noka së bashku me të tjerë kolegë të tij të opozitës, bllokuan foltoren, duke u dashur më pas ndërhyrja e gardës. Pas disa paralajmërimesh, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka përjashtuar nga seanca Nokën.

Top Channel