Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova i dorëzon sot mandatin e krijimit të qeverisë kryetarit të partisë saj VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Sipas Kushtetutës, mandati për formimin e Qeverisë i jepet partisë, e cila në zgjedhje ka fituar numrin më të madh të deputetëve dhe që arrin të sigurojë mbi 60 vota për votimin e saj në Kuvend.

Dhe në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, VMRO DPMNE-ja, deri atëherë në opozitë, siguroi 58 vende në parlamentin maqedonas, nga 120 që janë gjithsej.

Pas marrjes së mandatit, Mickoski ka 20 ditë afat për të prezantuar përbërjen e qeverisë së re dhe programin e punës. Ai vetë është shprehur se dorëzimin e listës emërore do ta bëjë në afatin e parë të mundshëm.

“Pres ta dorëzoj sa më shpejt të jetë e mundur, ndoshta para festave fetare që po afrojnë – Kurban Bajrami (16 qershor) dhe Dita e shpirtrave (21 qershor)”, deklaroi ai.

Qeveria e re do të formohet nga VMRO DPMNE-ja, koalicioni shqiptar VLEN dhe lëvizja ZNAM. Të treja këto parti së bashku kanë 78 deputetë. Nuk ka ende detaje rreth ndarjes së ministrive apo se kush do t’i drejtojë ato, por përfaqësues të koalicionit VLEN pretendojnë se në ekzekutivin e ri do të kenë një zëvendëskryeministër, gjashtë ministri, dy prej të cilave do të jenë pa portofol si dhe shtatë zëvendësministra.

Top Channel