Lajm i keq për Italinë e Luciano Spallettit, që ka nisur përgatitjet për kampionatin europian Gjermani 2024, ku do të provojë të mbrojë kurorën e fituar në “Wembley” në Europianin e kaluar.
Mbrojtësi kampion Italie, Francesco Acerbi nuk ia ka dalë të lërë pas dëmtimin dhe nuk do të udhëtojë me skuadrën drejt Gjermanisë. Lajmin e ka konfirmuar Federata Italiane e Futbollit, e cila sqaron se mbrojtësi veteran italian ka probleme me pubalgjinë dhe nuk mund të luajë në Europian.
Acerbi u la pushim nga Inzaghi për më shumë se dy javë dhe dukej se kishte lënë problemet pas shpine, por nuk ka rezultuar kështu, teksa Spalletti pritet të marrë në grumbullim mbrojtësin e Juventusit, Gatti.
Dëmtimi i Acerbit është padyshim një lajm i keq për trajnerin e Italisë, që ka ndryshuar edhe skemën për t’i besuar pikërisht bllokut zikaltër, me Acerbin e Bastonin në mbrojtjen me tre dhe Dimarcon në krahun e majtë.
Spalletti ka grumbulluar 29 futbollistë, nga të cilët do të marrë vetëm 26 me vete në Gjermani, teksa gjasat janë që edhe Gatti të luajë shanset e tij për një vend në Europianin 2024.
Italia do të nisë Europianin në “Signal Iduna Park” të Dortmundit, me përballjen ndaj Shqipërisë mbrëmjen e 15 qershorit./Super Sport
Top Channel